Gërvalla: Kontribues kryesor për liberalizimin e vizave është qytetari i Kosovës

Gërvalla: Kontribues kryesor për liberalizimin e vizave është qytetari i Kosovës

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe ministrja e Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schëarz, e përcollën grupin e parë të qytetarëve të cilët janë përfitues i udhëtimit falas pa viza drejt Vjenës.

Në fjalën e rastit, Gërvalla-Schëarz foli rreth sfidave që kosovarët i kaluan gjatë më shumë se dy dekadave për ta siguruar një vizë udhëtimi.

Ajo tha se kontribues kryesor për këtë sukses është qytetari.

“Sepse me vendosmërinë e tij për ta nxjerrë vendin nga moçali i krimit dhe korrupsionit, dhe solli progresin e dëshiruar dhe të nevojshëm për liberalizimin e vizave”, tha ajo.

“Sot vërtetë është një ditë e mirë. Sot është vërtetë një ditë e gëzuar sepse secili prej nesh e di, se sa kohë kemi humbur nëpër pritjet e gjata para ambasadave. Sa kohë është humbur në mërgatë, duke siguruar ftesa, fletgarancione edhe burokraci të tjera. E dini fort mirë se sa para janë shpenzuar pa nevojë, për viza dhe për procedura. S’ka më burokraci të panevojshme”, theksoi Gërvalla-Schwarz.

Kryediplomatja kosovare foli edhe rreth përfitimeve që qytetarët do të kenë nga lëvizja e lirë në zonën Schengen.

“Do të keni mundësi, në shtetet e zonës Schengen t’i vizitoni familjarët tuaj, të ç’malleni. Jo vetëm vizita private, por do të kenë mundësi bizneset kosovare, të zgjerojnë fushën e tyre të aktivitetit, të sjellin investime”, shtoi ajo.

Ky udhëtim u mundësua nga kuizi i organizuar nga Bashkimi Evropian në fushatën e realizuar për liberalizimin e vizave.