
Gërvalla: Inskenim i gërditshëm aksioni kundër ministrit Faton Peci
Ministrja në detyrë për Punë të Jashtme, Donika Gërvalla, ka reaguar pas bastisjes që është zhvilluar në Ministrinë e Bujqësisë, e cila udhëhiqet nga ministri Faton Peci.
Përmes një reagimi në Facebook, Gërvalla e ka quajtur këtë aksion të Prokurorisë Speciale një “inskenim të gërditshëm”, duke e cilësuar si një hakmarrje kundër ministrit Peci, të cilin ajo e ka vlerësuar si “ministrin më shembullor të këtij mandati”.
Reagimi i plotë i saj:
Inskenim i gërditshëm ky aksioni i sotëm i Blerim Isufajt kundër ministrit Faton Peci, ministrit më shembullor të këtij mandati.
Hakmarrje e shëmtuar ndaj betejës së suksesshme të Fatonit kundër korrupsionit dhe guximit të tij për t’u ballafaquar me secilën shkelje të ligjit, pa marrë parasysh se sa të rrezikshëm janë shkelësit dhe sa shumë shokë e ortakë kanë në Prokurorinë Speciale.
Kur pikërisht ata që e kanë për detyrë ta mbrojnë shtetin ligjor dhe qytetarët e Republikës nga krimi i keqpërdorin organet e drejtësisë për hakmarrje dhe për të njollosur figurat e suksesshme dhe të pastra politike, atëherë asgjë më nuk duhet të na habisë.
Por, kthim prapa nuk ka. Deri në reformimin e plotë edhe të sistemit të drejtësisë.