Gërvalla e njofton Kamikawas mbi veprimet destabilizuese të Serbisë në rajon
Për herë të parë në historinë e Kosovës së pavarur, sot ka mbërritur në një vizitë zyrtare në Kosovë ministrja e Punëve të Jashtme të Japonisë, Yoko Kamikawa.
Në takimin e realizuar në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, zëvendëskryeministrja Gërvalla vlerësoi se kjo vizitë e parë e një ministri të jashtëm të Japonisë në Kosovë është një moment historik në zhvillimin dhe fuqizimin e mëtutjeshëm të marrëdhënieve tona ndërshtetërore.
Gërvalla njoftoi Kamikawa me të arriturat e Kosovës në fushën e demokracisë, sundimit të ligjit, lirive civile dhe të drejtave politike.
Ajo gjithashtu theksoi edhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik nëpër të cilin po kalon Kosova në vitet e fundit dhe u shpreh e lumtur për pjesëmarrjen e Kosovës në EXPO 2025, e cila do të organizohet në Osaka të Japonisë.
Zëvendëskryeministrja Gërvalla theksoi se kjo ngjarje do të jetë një mundësi e jashtëzakonshme e njohjes dhe lidhjes së bizneseve të të dyja vendeve, si domosdoshmëri e thellimit të bashkëpunimit ekonomik.
Gjithashtu, ministret e jashtme shkëmbyen informacione mbi zhvillimet e fundit në rajonet përkatëse dhe nevojën e afrimit të vendeve demokratike, veçanërisht në kontekstin aktual gjeopolitik kur tendencat autokratike po rriten dhe po bëhen gjithnjë e më agresive.
Gërvalla njoftoi Kamikawa mbi veprimet destabilizuese të Serbisë në rajon, duke përfshirë edhe rastin e agresionit të Serbisë në Kosovë nëpërmjet sulmit terrorist të 24 shtatorit, dhe vështirësitë e procesit të dialogut në Bruksel si rezultat i kësaj qasje të Beogradit.
Në përfundim, zëvendëskryeministrja Gërvalla falënderoi ministren Kamikawa për mbështetjen e vazhdueshme që Japonia i ka dhënë Kosovës në fusha të ndryshme, si ndërtimin e institucioneve pas luftës së fundit dhe mbështetjen në arenën ndërkombëtare pas shpalljes së pavarësisë.