Gërvalla: Drafti për Asociacionin shqyrtohet vetëm nëse Serbia zbaton marrëveshjen bazë
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, thotë se qeveria do ta shqyrtojë draftin e BE-së për asociacionin vetëm nëse Serbia e zbaton në tërësi marrëveshjen bazë të Brukselit dhe aneksin e Ohrit.
Sipas saj, Kosova nuk mund të dërgojë draftin e Miroslav Lajçakut për asociacionin në Gjykatën Kushtetuese si pjesë të ndarë nga marrëveshja e arritur vitin e kaluar, por vetëm si pjesë e pakos që parasheh edhe planin e detajuar të implementimit.
Gërvalla e konsideron të domosdoshme që strukturat e reja të Bashkimit Evropian të kenë qasje ndryshe dhe të balancuar, siç thotë nga dialogu i dështuar i Lajçak.
Kryediplomatja Gërvalla thotë se drafti i asociacionit në formën aktuale, i shkëputur nga pakoja e Brukselit nuk mund të procedohet, pavarësisht presionit ndërkombëtar dhe kushteve që mund të jenë për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.
Si zgjidhje të duhur ajo e konsideron mundësinë që BE këtë draft ta dërgojë në Komisionin e Venecias për vlerësim. Megjithatë, ajo thotë se janë të gatshëm të ulen me përfaqësuesit e komunitetit serb në Kosovë, në mënyrë që qeveria të hartojë një draft-statut të asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.
“Ne nuk e injorojmë vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe ai Asociacion me ato të drejta të fuqishme që i ka dhënë marrëveshja e vitit 2013-2015 me këtë qeverisje nuk mund të realizohet. Kjo ka qenë arsyeja që më vonë na ka ardhur një draft i ri i prezantuar nga BE. Mirëpo, ne edhe me draftin e ri të BE-së e kemi parë që me Serbinë gjatë bisedave bilaterale në Bruksel nuk kemi arritur sukses. Ne nuk mund të aplikojmë diçka, e cila është e paraparë në Bruksel si pjesë e marrëveshjes në kuadër të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, nëse Serbia e refuzon. Ai i cili sot quhet drafti i Lajçak është gjithashtu e pamundur që institucionet tona të bëjnë çfarëdo që të jetë me atë draft. Ai është pjesë e një pakoje që parasheh marrëveshjen bazike, planin e implementimit dhe draftin e Lajçak”, thotë Gërvalla. Ksp.