Futsall | Kosova i mbyll kualifikimet për Euro 2026 me fitore në Bullgari

Futsall | Kosova i mbyll kualifikimet për Euro 2026 me fitore në Bullgari

Kombëtarja e Kosovës e ka përmbyllur me fitore ciklin e kualifikimeve për “Euro 2026”, teksa si mysafire e mposhti Bullgarinë me rezultat 4:3, në kuadër të Grupit 10.

Në një ndeshje me ritëm të lartë, djemtë e drejtuar nga përzgjedhësi Agon Ramadani treguan karakter të fortë, duke arritur në fund fitore të merituar në përballjen e fundit të këtij cikli.

Dardanët e nisën furishëm ndeshjen, duke kaluar në epërsi në minutën e 6-të me golin e sulmuesit Fitim Krasniqi. Vetëm shtatë minuta më pas, Diar Deliu dyfishoi avantazhin (13′), duke i dhënë Kosovës një epërsi prej 2:0.

Megjithatë, vendasit reaguan shpejt dhe barazuan rezultatin përmes Petrov (14’) dhe Minchev (16’), duke e mbyllur pjesën e parë në barazim 2:2.

Në fillim të pjesës së dytë, Bullgaria përmbysi rezultatin me golin e dytë personal të Minchev (23′), por Kosova nuk u dorëzua.

Me vendosmëri, Dardanët barazuan rezultatin në minutën e 25-të me golin e dytë të Fitim Krasniqit, i cili ishte lojtari më i dalluar në këtë përballje.

Në minutën e 35-të, Krasniqi kompletoi het-trikun e tij, duke realizuar edhe golin e fitores për Kosovën dhe vulosur rezultatin përfundimtar 4:3.

Me këtë fitore, Kosova e mbylli ciklin kualifikues në pozitën e tretë të grupit me 6 pikë, më shumë se çdo përfaqësuese tjetër nga rajoni. Grupin e fitoi Franca, ndërsa Gjeorgjia zuri vendin e dytë.