Futsall/ Kosova e motivuar nga fitorja ndaj Bullgarisë synon të përballet me sukses me Francën
Kombëtarja e Kosovës në futsall ka zhvilluar sonte stërvitjen e fundit para ndeshjes kundër Francës, e cila zhvillohet nesër në orën 20:00 në Pallatin e Rinisë në Prishtinë.
Kjo është ndeshja e tretë në ‘Main Round’, në kualifikimet për Kampionatin Evropian 2026, në kuadër të Grupit 10. Në dy ndeshjet e para Kosova ka regjistruar një humbje (kundër Gjeorgjisë) dhe një fitore (kundër Bullgarisë).
Përzgjedhësi i Kosovës, Agon Ramadani beson në përkushtimin, forcën dhe profesionalizmin e djelmoshave dardanë, prandaj pret rezultat pozitiv në ndeshjen kundër Francës, ndonëse kjo e fundit llogaritet favorite, pasi në Botërorin e fundit doli e katërta.
Edhe kapiteni Ramadan Alaj është optimist për ndeshjen e të premtes, derisa pret përkrahjen e tifozëve Dardanët, e të cilët sipas tij kanë një rol të rëndësishëm për Kombëtaren e Kosovës.
Atmosfera e mirë në kampin e Dardanëve të futsallit do të ndikojë pozitivisht për paraqitjen e nesërme, ndërsa për Bajram Ramadanin fitorja e thellë ndaj Bullgarisë ka qenë motiv i madh para përballjes me Francën.
Kosova ndeshjen kthyese ndaj Francës e zhvillon më 4 shkurt në Poitiers, ndërsa kundër kombëtareve tjera të grupit, do të luajë në muajin prill.