
Futbolli italian në zi, ndërron jetë Presidenti i klubit të Serie A
Fiorentina ka njoftuar për ndarjen nga jeta të pronarit dhe presidentit të klubit violë, Rocco Commisso.
Commiso, mbylli sytë përgjithmonë në moshën 76-vjeçare.
“Me dhimbje dhe trishtim të thellë, familja Commisso, së bashku me bashkëshorten Catherine, fëmijët Giuseppe dhe Marisa, si dhe motrat Italia dhe Raffaelina, njofton ndarjen nga jeta të Presidentit Rocco B. Commisso.
Pas një periudhe të gjatë trajtimi, Presidenti ynë i dashur na ka lënë dhe sot e gjithë familja dhe komuniteti sportiv vajton humbjen e tij”.
“Për familjen e tij, ai ishte një shembull, një udhërrëfyes, një burrë besnik dhe i përkushtuar, gjithmonë pranë bashkëshortes Catherine, me të cilën arriti 50 vjet martesë. Për fëmijët e tij ishte një baba i rreptë, por i dashur, ashtu siç ishte edhe karakteri i tij: i ëmbël dhe i vendosur”.
“Dashuria e tij për Fiorentinën ishte një nga dhuratat më të bukura që i bëri vetes. Ai kaloi ditë të paharrueshme me djemtë dhe vajzat e akademisë, gjithmonë me një përkëdhelje dhe një buzëqeshje për të gjithë. I palodhur, punoi deri në ditët e fundit të jetës, duke iu përkushtuar kompanive të tij Mediacom dhe Fiorentina, si dhe së ardhmes së tyre”.
“Futbolli ishte pasioni i tij dhe Fiorentina u bë e tillë shtatë vite më parë, kur Rocco mori drejtimin e klubit Viola dhe nisi të dashuronte tifozët, ngjyrat dhe qytetin e Firences. “Thërrisni thjesht Rocco”, u kishte thënë të gjithëve, me empatinë e tij të jashtëzakonshme. Ai ishte gjithmonë pranë Firences dhe qytetarëve të saj, në jetën e përditshme dhe sidomos gjatë periudhës më të vështirë të pandemisë Covid, kur përmes fushatës “Forza e Cuore” u dhuruan fonde të mëdha për spitalet e qytetit”, ka njoftuar ky klub futbollistik.
