Fundjava sjell javën e 32-të në Superligë
Në fundjavë do të zhvillohet java e 32-të në Superligën e Kosovës në futboll.
Kur kanë mbetur edhe pesë xhiro deri në fund të sezonit, çështja e titullit të kampionit ende është e mjegullt.
Në anën tjetër, kanë filluar të qartësohen gjërat në fundin e tabelës, me Lirinë që tashmë është përshëndetur nga elita.
E këtë rrugë është afër ta ndjek edhe Fushë Kosova që edhe matematikisht mund t’i humb shpresat për mbijetesë në duelin që e zhvillon ndaj Dritës në udhëtim.
Gjilanasit kërkojnë me patjetër fitoren, pasi kanë mbetur katër pikë prapa Ballkanit që kryeson në tabelë.
Suharekasit do të përballen në shtëpi me Dukagjinin që i prishi punë Dritës xhiron e kaluar me një barazim të sekondave të fundit.
Klinasit aktualisht gjenden në pozitën e gjashtë me 39 pikë.
Në “Zahir Pajaziti” të Podujevës, Llapi do të jetë nikoqir i Feronikelit 74.
Llapjanët aktualisht gjenden në vendin e dytë me dy pikë më pak se Ballkani dhe e kanë obligim fitoren.
Njëjtë qëndron situata edhe për Feronikeli 74 që janë në nevojë të pikëve për t’i ikur pozitës së barazhit.
Në duelet tjera, Malisheva do ta presë Gjilanin në “Liman Gegaj” kurse Prishtina i shkon Lirisë.
Të gjitha ndeshjet nisin nga ora 15:00.