FUNDI I QEVERISË KURTI MUND TË VULOSET NË URËN E IBRIT
Nga Milazim Krasniqi
1. Qeverisë Kurti i është lejuar nga faktorët ndërkombëtar mbajtja e zgjedhjeve për kryetarët e komunave në veri. Mandej iu kërkua të mos bëhej inaugurimi në formën që u bë. Të huajt e kishin menduar mbajtjen e zgjedhjeve si presion ndaj Serbisë, jo si pushtet real të shqiptarëve në ato komuna. Prandaj me inaugurimin e kryetarëve të komunave u prishë skenari. Meqë u konsiderua se qeveria Kurti e prishi lojën, Bashkimi Evropian vendosi masa kundër Kosovës. Në fakt, ata e kanë futur Kurtin në kurth, për t’ia shtuar presionin për Asociacionin. Ai ka menduar se po ia ushqejnë iluzionet sovraniste! Prandaj suksesi me kryetarët në katër komunat veriore, po qe se argëtohemi me ssintagmat e Kurtit është “sukses katastrofal.” Megjithatë, më pak për Kurtin, më shumë për Kosovën.
2. Sulmi terrorist në Banjskë e kthjelloi atë që dihet që nga viti 1999: armata e Serbisë nuk guxon të hyjë në Kosovë. Prandaj fitorja e Kosovës përballë sulmit terrorist në Banskë ishte e lehtë, meqë KFOR ishte aty. Definitivisht është e qartë: armata e Serbisë mund të hyjë në Kosovë vetëm nëse e lejon KFOR-i. A mund ta lejojë KFOR-i? Në ndonjë situatë jonormale, si mjet presioni mbi Kosovën, KFOR edhe mund ta lejojë kthimin e qindra ushtarëve të Serbisë, ashtu si parashihet në rezolutën 1244 të KS të OKB-së. Por ajo mund të ndodhë vetëm në rast se Kosova del komplet nga shinat e parteritetit me NATO-n/KFOR-in. Fjala vjen, nëse provokon konflikt të armatosur me KFOR-in, për Urën e e Ibrit.
3. Çështja e dinarit, mbyllja e postave të Serbisë u mundësua, duke mbyll pjesërisht sytë prezenca ndërkombëtare. Kjo u bë për ta mbyllur informalitetin dhe ndikimin direkt të Serbisë, para se të formohet Asociacioni, sepse Asociacioni, kurdo që të formohet, duhet të jetë veëtm brenda sistemit kushtetues të Kosovës. Por arroganca e qeverisë Kurti edhe këtë akord të heshtur po e shndërron në konflikt me parnerët ndërkombëtar, për nevoja propagandistike, elektorale. Edhë këtë veprim procedural, po e shndërron në “sukses katastrofal.”
4. Edhe hapja e Urës së Ibrit për vetura mbase do të mund të lejohej si simbolikë, për të dhënë idenë e integrimit të serbëve, para se të formohet Asociacioni. Por hapja do të mund të bëhej me koordinim e jo si arrogancë e qeverisë Kurti. Thjesht, hapja e Urës së Ibrit ka të bëjë me KFOR-in dhe me prezencën ndërkombëtare të sigurisë në Kosovë, sepse KFOR është autoritet më i lartë se sa qeveria e Kosovës në aspektin e sigurisë. Pse u krijua klima e konfrontimit me KFOR-in? Për të kënaqur pasionet e militantëve-injorantëve? I kënaq përkohësisht ato pasione të militantëve-injorantëve, ama politika të shndërrohet, siç u shndërrua tashmë, në sukses katastrofal.
5. Në këtë klimë konfrontimi të qeverisë Kurti me KFOR-in, me BE-në, me SHBA-në, hapja e Urës së Ibrit mund të bëhet vetëm me dhunë. Nëse provokohet dhunë, qeveria e Kosovës mbetet përgjegjëse dhe bartë pasojat. Pra në këtë rast qeveria do të bartte pasojat, jo Kosova. Prandaj armiqtë e kësaj qeverie do ta inkurajonin që të tentonte ta hapte Urën e Ibrit me dhunë. Në rast të dhunës së provokuar prej saj, në atë urë do të vulosej fundi i saj.