
FSK-ja në stërvitje të përbashkët me ushtarët e Iowas
Forca e Sigurisë së Kosovës së bashku me Ushtarët e Gardës Kombëtare të Ushtrisë së Iowas dhe njësi mbështetëse të specializuara po marrin pjesë në një stërvitje ushtarake në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kjo stërvitje po zhvillohet në kushte të intensitetit të lartë dhe për simulime luftarake të avancuara, thuhet në njoftimin e lëshuar nga Garda Kombëtare e Iowas.
Aty thuhet se të gjitha njësitë po përballen me mjedis sfidues dhe presion të lartë, i projektuar për të reaguar në luftime në shkallë të gjerë.
Për ushtrimin në fjalë është deklaruar edhe ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.
Ky ushtrim, sipas tij, ofron një mjedis të vështirë dhe realist për të vlerësuar aftësinë e brigadës për t’u vendosur, luftuar dhe fituar kundër një kërcënimi pothuajse të barabartë. “Pjesëtarët pjesëmarrës në këtë ngjarje kritike stërvitore, testojnë gatishmërinë dhe efektivitetin e armëve luftarake, logjistikës, mjekësisë, inxhinierisë dhe njësive të aviacionit në një mjedis operacionesh luftarake në shkallë të gjerë”, ka shkruar Maqedonci në platformën sociale “Facebook”.