FSK-ja dhe Policia e Kosovës realizojnë trajnimin e adaptuar nga ushtria amerikane 

FSK-ja dhe Policia e Kosovës realizojnë trajnimin e adaptuar nga ushtria amerikane 

Komanda e Forcave Tokësore në Istog, ka realizuar trajnimin “Taktika me Njësi të Vogla” i adaptuar nga programi trajnues Pri-Rengjers i Ushtrisë Amerikane.

Kështu bëri me dije FSK-ja në një postim në “Facebook”.

“Përveç pjesëtarëve të Komandës së Forcave Tokësore, pjesë e këtij trajnimi ishin edhe pjesëtarë të Policisë së Kosovës, ku së bashku treguan përkushtim, disiplinë dhe gatishmëri të lartë për të operuar si pjesë e ekipit në të gjitha rastet kur kërkohet angazhimi i tyre”, thuhet në njoftim.

Në ceremoninë e ndarjes së Certifikatave që u mbajt sot në Istog, morën pjese komandanti i KFT-së, gjeneral brigade, Hysen Dreshaj si dhe përfaqësues nga regjimenti i parë i KFT-së dhe të Policisë së Kosovës.

“Me qëllim të ngritjes së kapaciteteve profesionale dhe gatishmërisë fizike të pjesëtarëve , Forca e Sigurisë së Kosovës organizon trajnime të tilla sfiduese që pjesëtarët të jenë sa më të përgatitur fizikisht dhe profesionalisht për realizimin e detyrave në kuadër të njësive të tyre”.