Franco Foda përzgjedhës i ri i Kosovës

Franco Foda përzgjedhës i ri i Kosovës

Federata e Futbollit e Kosovës ka prezantuar përzgjedhësin e ri të Kombëtares së Kosovës. Është Franco Foda, ai, i cili do t’u prijë Dardanëve në dy vitet e ardhshme, teksa do ta nisë punën me ekipin në muajin e ardhshëm për dy ndeshjet miqësore kundër Armenisë dhe Hungarisë. Foda është prezantuar në një konferencë për media në hotel ‘Emerald’, teksa presidenti i FFK-së, Agim Ademi ka theksuar se kanë vendosur për Fodan, pasi programi i trajnerit është përputhur me projektin e FFK-së.

“Urime festën dhe urime edhe trajnerin e ri. Uroj që siç është përputhur programi i tij me projektin tonë, të ketë edhe rezultate. Foda është trajner i rezultateve. Ne këtë pjesë, duam rezultate sepse e kemi bërë zhvillimin tonë. Shpresojmë që Foda të jetë trajneri që do të ngelë në historinë e Kosovës, për ta kualifikuar në garat e rëndësishme. Foda ka qenë në Kosovë para dy javësh. I ka parë kushtet dhe në fund ka vendosur të nënshkruajë me ne. Kontrata është dyvjeçare. Në këto dy vjet, në këto garat e radhës, do të realizojmë programin e tij dhe kërkesat tona. Në futboll s’ka asgjë të sigurt, por ne po përpiqemi ta bëjmë punën sa më të mirë. Foda i ka duart e lira për të vendosur dhe vjen me ekipin e tij. Ai do ta ketë mbështetjen e Federatës”, ka thënë Ademi.

Ndërkaq, Foda duke e nisur adresimin e tij në shqip “Mirëdita” është shprehur optimist për suksese me Kosovën, teksa ka uruar Ditën e Pavarësisë. “Është ditë speciale për njerëzit këtu në Kosovë, por edhe për mua. Jam shumë i lumtur dhe po shoh përpara me optimizëm për sfidën e re. Bashkërisht besoj se do të jemi të suksesshëm. Jam i bindur se bashkë me tifozët dhe bashkë me Federatën do t’ia dalë. Qëllimi im është të hyj sa më shpejt në rrjedhat e ekipit. Po përgatitemi për ndeshjet e marsit. Pas këtyre ndeshjeve, do të kërkojmë kundërshtar më të përshtatshëm”, ka thënë Foda, pasi edhe zyrtarisht ka vendosur bashkë me kreun e FFK-së nënshkrimin në kontratë.

Ai tutje ka thënë se i ka pëlqyer projekti i FFK-së dhe për këtë arsye e ka pasur të lehtë të vendosë për të marrë drejtimin e Dardanëve. “I kam parë kushtet këtu. E kam parë stadiumin, objektin e Federatës dhe e kam pasur shumë të lehtë të vendos për Kosovën. Ekipi më duket shumë atraktiv dhe me disa ndryshime të vogla, do të kemi sukses”, ka nënvizuar Foda. 57-vjeçari ka thënë se i njeh disa prej lojtarëve të Kombëtares, derisa i ka përcjellë dhe disa ndeshje të Kosovës. Ai ka bërë të ditur se do të jetojë në Prishtinë, në mënyrë të që jetë sa më afër futbollit kosovar dhe t’i përcjellë edhe ndeshjet e kampionatit vendor.

Franco Foda si futbollist ka luajtur për Kaiserslautern, Arminia Bielefeld, Saarbrücken, Bayer Leverkusen, Stuttgart, Basel, Sturm Graz si dhe për Kombëtaren e Gjermanisë Perëndimore. Ndërkaq, si trajner ka udhëhequr Sturm Grazin, Kaiserslauternin, Zurichun dhe Kombëtaren e Austrisë, me të cilën ka arritur që nga Liga B të kalojë në Ligën A në Ligën e Kombeve.