Parlamenti i Francës ka miratuar një ligj që ndalon përdorimin e rrjeteve sociale për personat nën moshën 15-vjeçare, duke filluar nga janari i vitit 2027. Me këtë vendim, Franca bëhet vendi i parë në Evropë që vendos një ndalim të tillë.
Ligji parashikon që të gjithë përdoruesit në Francë do të duhet të verifikojnë moshën e tyre për të pasur qasje në rrjetet sociale. Ky zhvillim vjen në një kohë kur edhe Mbretëria e Bashkuar dhe Bashkimi Evropian po shqyrtojnë masa të ngjashme për shkak të shqetësimeve lidhur me ndikimin e rrjeteve sociale në shëndetin mendor të fëmijëve.
Presidenti francez Emmanuel Macron e ka përshëndetur miratimin e ligjit, të cilin e kishte premtuar si pjesë të agjendës së tij para përfundimit të mandatit presidencial, transmeton Klankosova.tv.
Megjithëse disa kritikë kanë vënë në pikëpyetje zbatueshmërinë e ligjit, qeveria franceze ka deklaruar se mjetet teknologjike për verifikimin e moshës janë efektive dhe të sigurta.
Ligji u miratua të martën nga Senati dhe Asambleja Kombëtare, pavarësisht kundërshtimeve nga një pjesë e deputetëve të së majtës.
Zbatimi i tij do të bëhet në dy faza:
Nga shtatori 2026, personat nën moshën 15-vjeçare nuk do të mund të hapin llogari të reja në rrjetet sociale dhe verifikimi i moshës do të jetë i detyrueshëm për çdo llogari të re.
Nga janari 2027, kjo kërkesë do të zbatohet edhe për të gjitha llogaritë ekzistuese, çka do të thotë se çdo përdorues në Francë do të duhet të dëshmojë se është mbi 15 vjeç për të përdorur rrjetet sociale, shkruan BBC.
Franca bëhet vendi i dytë në botë që vendos një ndalim të tillë, pas Australisë.
Edhe pse Australia ndaloi përdorimin e rrjeteve sociale për personat nën 16 vjeç në dhjetor, pranohet gjerësisht se shumë të rinj vazhdojnë t’i përdorin këto platforma.
Në mars, Komisioni Australian për Sigurinë Online njoftoi se shtatë në dhjetë fëmijë nën moshën 16-vjeçare që kishin pasur llogari para hyrjes në fuqi të ndalimit, ende kishin qasje në rrjetet sociale.
Profesori i Studimeve të Internetit në Universitetin Curtin të Australisë Perëndimore, Tama Leaver, i tha BBC-së se ndalimi në Australi ka dështuar në aspektin teknik, por ka dëshmuar se një masë e tillë mund të zbatohet, duke e cilësuar atë si “një lloj eksperimenti”.
Sipas tij, një nga mësimet që mund të nxjerrin vendet e tjera është se të rinjtë duhet të përfshihen në diskutimet për masa të tilla, në mënyrë që ato të zbatohen me ta dhe jo kundër tyre.
Leaver shtoi se ndalimi në Francë mund të ketë më shumë gjasa të funksionojë, pasi kërkon verifikimin e moshës për të gjithë përdoruesit, por paralajmëroi se kjo mund të rrisë rreziqet për privatësinë.
Ai gjithashtu tha se ndalimi mund t’i shtyjë të rinjtë drejt hapësirave online më pak të rregulluara, të ulë konsumin e tyre të lajmeve dhe të ndikojë negativisht në përfshirjen e tyre politike.

