Fokusi te Perëndimi i kushton Kosovës me barriera në botën islamike

Fokusi te Perëndimi i kushton Kosovës me barriera në botën islamike

Vendi i fundit me shumicë myslimane që njohu Kosovën si shtet, ishte Bangladeshi, në vitin 2017.

Pavarësinë e saj – të shpallur më 2008 – e njohin pak më shumë se gjysma e 57 vendeve anëtare të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik, e cila e përshkruan veten si “zë i përbashkët i botës myslimane”. Mes tyre prijnë Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Megjithatë, shumë të tjera – si Indonezia me mbi 275 milionë banorë apo Irani me mbi 88 milionë – nuk e njohin.

Radio Evropa e Lirë kontaktoi ministritë e Jashtme të këtyre dy vendeve, ashtu si edhe atë të Tunizisë, Irakut dhe Sirisë, për t’i pyetur nëse janë duke shqyrtuar qëndrimin për Kosovën, por nuk mori përgjigje.

Ngjashëm, as Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës nuk iu përgjigj interesimit të REL-it për aktivitetet e saj lobuese në këto vende.

Në një intervistë dhënë gazetës Arab News në vitin 2022, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se është “gabim i madh” që disa vende me shumicë myslimane refuzojnë ta njohin Kosovën si shtet.

“Mendoj se ato janë keqinformuar nga Serbia. Disa prej tyre e mbajnë atë qëndrim edhe për shkak të lidhjeve të ngushta me Federatën Ruse. Unë u bëj thirrje të gjitha vendeve të botës që – për hir të paqes afatgjate, sigurisë së qëndrueshme dhe njohjes së të drejtave të njerëzve për liri dhe vetëvendosje – ta njohin pavarësinë e Kosovës”, ka thënë Kurti për Arab News.

Kosova ka mbi 1.5 milion banorë me shumicë myslimane, por me Kushtetutë është shtet laik.

Pavarësisht mbështetjes së disa prej shteteve më të mëdha dhe më me ndikim në botë, Kosova nuk është ende pjesë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe njihet vetëm nga pak më shumë se 100 prej 193 shteteve anëtare të OKB-së.

Gëzim Visoka, profesor i Studimeve të Paqes dhe Konfliktit në Universitetin e Qytetit të Dublinit, thotë se hezitimi i shumë vendeve me shumicë myslimane për ta njohur Kosovën, buron nga një ndërthurje komplekse e ndikimeve gjeopolitike dhe aleancave historike.

Në mesin e tyre, ai përmend në mënyrë të veçantë Iranin, për të cilin thotë se ka lidhje të ngushta me Serbinë dhe Rusinë dhe se është i prirë të ndjekë narrativë antiperëndimorë. Si i tillë, ai ka ndikim edhe në shtete si Siria, Libani e Iraku.

“Pastaj, janë dhe shtete si Maroku dhe Palestina, që kanë lidhje të veçanta me Serbinë, për shkak të problemeve të brendshme që kanë me rajone të caktuara dhe lidhjeve historike që ka krijuar ish-Jugosllavia me to”, thotë Visoka.

“Pra, kemi të bëjmë pak me perceptimin e Kosovës si një projekt perëndimor ose amerikan, dhe pjesërisht me trashëgiminë e Jugosllavisë në Lindjen e Mesme dhe në Afrikën Veriore”, thotë ai për programin Expose të Radios Evropa e Lirë.

Shkrimi i plotë në këtë link:

https://www.evropaelire.org/a/fokusi-te-perendimi-i-kushton-kosoves-me-barriera-ne-boten-islamike/33153769.html