
Foda e fton Qëndrim Zybën
Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës, Franco Foda ka ftuar për dy ndeshjet e ‘play-off’-it të Ligës së Kombeve kundër Islandës edhe Qëndrim Zybën.
Mesfushori qendror i skuadrës çeke, Slovan Liberec, paraprakisht ishte pjesë e listës së zgjeruar.
Në këtë edicion Zyba është paraqitur në 14 ndeshje në kampionatin çek, ka shënuar një gol dhe ka asistuar një herë.
Të shtunën, ai hyri si zëvendësues në minutën e 64-t në fitoren kundër Slavia Pragës (1:0).
Detajet lidhur me këtë ftesë, por edhe për listën e futbollistëve dhe pritjet e tij nga grumbullimi i këtij muaji, Foda do t’i japë nesër në konferencë për media, e cila mbahet në orën 12:00, në hotel ‘Emerald’.
Ndërkohë, stërvitjen e parë Dardanët do ta zhvillojnë në orën 17:30 në Kampin Nacional në Hajvali.