
Fjala e Smajl Latifit në 26-vjetorin e 68 të vrarëve e të masakruarve në Fortesë nga forcat terroriste të Serbisë
Të dashur familjarë të dëshmorëve dhe gjithë ju familjarë që nuk i keni më të dashurit tuaj, e që nga gjaku i tyre, mori krahë dhe peshë liria që e kemi sot,
Të nderuar veteranë dhe invalidë, qytetarë të Fortesës dhe të rrethinës,
Mysafirë dhe të gjithë ju që merrni pjesë në përkujtimin e atyre që na nderojnë përjetësisht,
26-vjet pa ta, por u bënë 26 vjet që Kosova frymon e lirë!
Lufta e udhëhequr nga UÇK-ja ishte faktori përcaktues i kahut të zhvillimeve vendimtare, e që këtë popull të robëruar po e çonte pa kthim drejt lirisë. Kjo rrugë as nuk qe e lehtë, as nuk ishte e shtruar me lule, por me sakrifica të mëdha e me flijime të shumta. Shqiptarët mbi çdo gjë tjetër ishin të vendosur për qëndresë, të luftonin e ta fitonin lirinë. Gëzimi i sakrificës ishte futur thellë në vetëdijen e brezit që po luftonte për Liri a Vdekje. Djemtë e UÇK-së nuk e kishin të lehtë përballjen me Serbinë e cila kishte qëllim të vriste, të dëbonte e të shfaroste shqiptarët nga këto troje. Fortesa ishte vatër e rezistencës, ashtu siç edhe Anadrinia dhe e tërë Kosova. Pa luftën e këtij populli dhe pa rezistencën e djemve dhe vashave të UÇK-së, nuk do të vepronte as NATO-ja e udhëhequr nga SHBA, rrjedhimisht nuk do të kishim lirinë e nuk do të arrinim ku jemi sot.
Në mëngjesin e 25 marsit, banorët e Fortesës dhe të gjithë kësaj zone, panë dhe përjetuan tmerrin e paparë të forcave serbe, të cilat të uritura për gjak shqiptari, bënë plojën e madhe, duke plaçkitur, vrarë dhe masakruar, bënë krime të përmasave të gjenocidit. 68 vetëm në Fortesë. Disa i vranë në shtëpi, shumë në brigjet e lumit Bellaja, e disa të tjerë në rrjedhën e ujit. Të gjithë ishin shqiptarë, të gjuhës e të gjakut tonë. Për fat, plot burra, gra e fëmijë kishin arritur të depërtonin kah Xërxa e Rogova, e në pjesë të tjera për të shpëtuar. Njeriu duhej të ishte më i fortë se guri përpara pamjeve të llahtarshme, kur me sy shihje të vrarët e të masakruarit, plaçkat që iu kishin mbetur brigjeve të lumit e në lumin Bellaja atyre që mbijetuan. Një lemeri që s’përballohej dot. I përmenda këto se i pashë edhe vetë, gjatë përpjekjeve që pata unë me bashkëluftëtarët e mi e me qytetarë, kur morëm përsipër t’i varrosnim njerëzit tanë që trupat e pajetë të tyre mos të bien në duart ekzekutorëve serb, që mos t’i vrisnin edhe për së dyti, siç do të dëshmohej në shumë raste, se barbarët i vrisnin e i masakronin e pastaj i rrëmbenin trupat, për t’i zhdukur pa gjurmë.
Ishin ditë të vështira për të gjithë, me dhembje e lot pafund, ku dëbimi me dhunë vazhdonte e njerëzit tanë ballafaqoheshin edhe me shumë përpjekje pothuaj titanike për mbijetesë. Ditët në vazhdim ishin secila më e vështirë se tjetra, vazhduan vrasjet e masakrat, djegiet e kufomave, të shtëpive e katandive, dëbimet nga këto troje e deportimet masive të shqiptarëve. E mbi këto dhembje e lot nënash, të sa e sa përjetimeve nga më të rëndat, lufta për liri vazhdoi e shpresa për ta fituar atë rritej nga dita në ditë.
Erdhi dita kur liria u fitua e në themelet e saj është çimentuar gjaku dhe jetët e njerëzve tanë të shtrenjtë.
Të nderuar të pranishëm,
Në këtë vend, e këtë bregore, pushojnë eshtrat e të rënëve, të atyre ndaj të cilëve jemi të obliguar ne sot dhe brez pas brezi të përulemi me respektin më të thellë.
Kujtimi i përhershëm për të rënët, i jep krah jetës dhe sukseseve tona, sepse ata i dhanë shpirt, kuptim dhe e bënë Kosovën.
Kjo tokë e larë me gjakun e shqiptarëve, nuk i duroi kurrë padrejtësitë, prandaj u sulmua e u djeg me zjarr e hekur, por mbeti shqiptare. E jona dhe e tillë do të mbetet përgjithmonë!
Në këtë kompleks përkujtimor, sa herë që vijmë na kujtohen ato ngjarje dhe gjithë ato përjetime, edhe për ne që jemi gjallë. Mirëpo, sot, po shohim plot prej fëmijëve që lindën në zjarrin e luftës e në Kosovën e lirë, që u rritën më pas bashkë me lirinë e Kosovës. Atyre iu detyrohemi!
I paharruar është kujtimi për dëshmorët dhe martirët!
Lavdi e përjetshme 68 të rënëve nga Fortesa!
Fortesë, 25 mars 2025.