Fitim Uka s’do të kandidojë më për deputet, do të largohet nga LVV-ja
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Fitim Uka, ka shkruar se “kur zëri im është ‘pengesë’, heshtja ime është protestë”, duke ia bashkëngjitur një fotografi me gojë mbyllur.
Ai tha se ka një dinamikë të caktuar të procesit prej fillimit deri në fund, ku tha se “ka një kuantitet dhe kualitet të fjalimeve që i takojnë mandatit të kaluar, këtij aktual dhe tash ka një heshtje”.
Uka paralajmëroi se ky është mandati i tij i fundit si deputet, pasi më nuk do të merret me politikë.
“Kurrë më nuk do të kandidojë për deputet. Unë e konsideroj si pikë të përmbushur. Pas këtij mandati më nuk do të jem as pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje”, tha Uka për Klan Kosovën.
Deputeti i LVV-së para dy vitesh pati dhënë dorëheqje nga Komisioni Parlamentar për Arsim, ku sipas tij, arsyeja kryesore e kësaj dorëheqjeje ishte pakënaqësia me vete por edhe pamundësia për të bërë më shumë.
“Arsyeja kryesore e dorëheqjes është pakënaqësia ime me veten, por dhe pamundësia që e kam përjetuar për të bërë më shumë, duke qenë se shumica e ideve dhe propozimeve të mia nuk kanë gjetur mbështetjen apo nuk janë realizuar në këtë komision. Prandaj, e kam gjykuar që dikush tjetër mund të bëjë përfaqësim më të mirë duke mos u perceptuar si ‘pengesë”, ka shkruar aso kohe Uka.