
FFSHGJ në mbështetje për rizgjedhjen e Agim Ademit në krye të FFK-së
Federata e Futbollit Shqiptar në Gjermani (FFSHGJ), përmes kryesisë së saj dhe kryetarit Enver Muzliukaj, shpreh mbështetjen e plotë për kryetarin aktual të Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, dhe për rizgjedhjen e tij në këtë post.
Siç është paraparë, më 5 shkurt 2026 delegatët e Federatës së Futbollit të Kosovës do të mblidhen në Kuvendin Zgjedhor, sipas rregullores dhe statutit në fuqi, për të zgjedhur kryetarin dhe kryesinë e re.
Sipas informatave të deritanishme, kandidat për kryetar është kryetari aktual, Agim Ademi, për të cilin ekziston mendim i gjerë pozitiv, bazuar në sukseset e mëdha të arritura në arenën ndërkombëtare, si dhe në avancimin e organizimit dhe zhvillimit të klubeve vendore.
Kryetari i FFSHGJ-së, Enver Muzliukaj, në takimin me kryesinë e ngushtë, theksoi se përparimi i shpejtë i futbollit të Kosovës, veçanërisht i kombëtares në vitet e fundit, është dëshmi e punës dhe angazhimit të suksesshëm të udhëheqjes aktuale.
Në këtë letër mbështetëse thuhet se sukseset e Agim Ademi duhet të merren parasysh dhe për këtë arsye ai meriton mbështetje të plotë për një mandat tjetër në krye të FFK-së.
Federata e Futbollit Shqiptar në Gjermani fton të gjithë ata që e duan futbollin në Kosovë dhe jashtë saj që të mbështesin Agim Ademi dhe kryesinë e FFK-së për një mandat të ri. Puna dhe angazhimi i deritanishëm janë shembull i qartë se si duhet vepruar për unifikimin dhe afrimin e shqiptarëve të mërgatës me vendlindjen, veçanërisht përmes futbollit dhe klubeve sportive.
Muzliukaj shpreh falënderim të veçantë për FFK-në dhe Agim Ademin për mbështetjen e vazhdueshme ndaj FFSHGJ-së dhe klubeve shqiptare në Gjermani dhe më gjerë.

