FFK-ja me tjetër ankesë në UEFA pas thirrjeve raciste të tifozëve dhe vendosjes së flamurit serb me hartën e Kosovës në të

FFK-ja me tjetër ankesë në UEFA pas thirrjeve raciste të tifozëve dhe vendosjes së flamurit serb me hartën e Kosovës në të

Federata e Futbollit të Kosovës ka njoftuar se ka përgatitur ankesën e radhës në UEFA pas përsëritjes së sjelljes me retorikë nacionaliste dhe raciste nga tifozët serbët gjatë ndeshjes kundër Sllovenisë, e cila u zhvillua sot në Mynih.

FFK-ja tha se i dënon fuqishëm thirrjet nacionaliste dhe vendosjen e flamurit serb me hartën e Kosovës dhe me mbishkrimin “S’ka dorëzim”.

“Përsëritja e sjelljeve të tilla në stadiumet e futbollit, edhe pas dënimeve të mëparshme nga UEFA, është e papranueshme dhe kërkon rigorizitet më të madh nga organet vendimmarrëse të UEFA-së”.

“Mesazhet me retorikë shoviniste janë skandaloze, bien ndesh me vlerat që përçon sporti dhe minojnë parimet bazë të UEFA-së. I bëjmë thirrje edhe një herë organeve të UEFA-së që të jenë më rigoroze ndaj përsëritjes së mesazheve të tilla armiqësore ndaj vendit tonë, si anëtar i barabartë me të gjitha vendet e tjera në familjen e futbollit evropian”, thuhet në njoftimin e FFK-së.

Më tej, FFK-ja kërkoi nga organizatorët që të rrisin vigjilencën për të mos lejuar më shfaqjen e mesazheve të tilla.

Këtë javë, Federata Serbe e Futbollit u dënua me 10 mijë euro pas thirrjeve raciste dhe vendosjes së flamurit serb me hartën e Kosovës në të.