
Festim Kabashi i bashkohet LDK-së, Abdixhiku e mirëpret
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka bërë të ditur se partisë politike që ai e drejtoni është bashkuar gazetari Festim Kabashi.
Në një postim në Facebook, Abdxhiku i ka uruar mirëseardhje Kabashit, të cilin e ka quajtur emër të spikatur të gazetarisë.
“Me mbi dy dekada përvojë në Radiotelevizionin e Kosovës, nga gazetar terreni, tek moderatori, redaktori, producenti, deri te drejtuesi i kanaleve kryesore televizive, Festimi ka dëshmuar profesionalizëm, integritet dhe përkushtim të rrallë në informimin e publikut dhe ndërtimin e mediave kredibile në vend”.
“I diplomuar në Shkenca Politike dhe Administratë Publike, ai ka ndërtuar një profil të fuqishëm profesional duke udhëhequr me dinjitet. Si autor e producent dokumentarësh, Festimi ka trajtuar temat më të ndjeshme sociale, politike dhe njerëzore, nga varfëria, të drejtat e fëmijëve, e deri te barazia gjinore dhe të drejtat e gruas për trashëgimi. Për punën e tij është vlerësuar me çmime prestigjioze nga UNKT, KOMF dhe organizata ndërkombëtare si BE dhe BIRN”, ka thënë Abdixhiku.
