Feronikeli 74 shënon fitoren e parë në këtë edicion, mposht Suharekën

Feronikeli 74 shënon fitoren e parë në këtë edicion, mposht Suharekën

Feronikeli 74 ka regjistruar fitoren e parë në edicionin aktual të Albi Mall Superligës së Kosovës, duke triumfuar me rezultat 3:1 ndaj Suharekës, të premten, në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas, në ndeshjen që hapi javën e 15-të.

Golin e epërsisë për Feronikelin 74 e realizoi Hasan Hyseni në minutën e 23-të nga pika e bardhë.

Skuadra nga Drenasi e dyfishoi epërsinë në minutën e 48-të, kur Stivian Janku realizoi nga afërsia.

Vetëm shtatë minuta më vonë, Feronikeli 74 e siguroi golin e tretë, pas një autogoli të mbrojtësit të Suhareka, Hysen Memolla.

Mysafirët nga Suhareka arritën të ngushtonin disavantazhin në minutën e 57-të, me golin e mesfushorit Adem Maliqi, por jo edhe ta rrezikojnë fitoren e skuadrës nga Drenasi.

Feronikeli 74 mbetet në vendin e fundit në tabelë me vetëm gjashtë pikë nga 15 ndeshje, por kjo fitore është një motiv për këtë skuadër për ecurinë e kampionatit, derisa Suhareka qëndron në pozitën e pestë me 19 pikë.