
Ferizaj mposht Dritën dhe i afrohet pozitës që dërgon në Evropë, Llapi dhe Prishtina ndajnë pikët
Java e 31-të e AlbiMall Superligës ka përfunduar të hënën pasdite me dy përballje interesante.
Në stadiumin me bari sintetik në Ferizaj, vendasit arritën fitore të madhe ndaj lideres Dritës, me rezultat 2:1.
Skuadra ferizajase zhbllokoi ndeshjen në minutën e 48-të me golin e Antonio Ilieskit, ndërsa Veton Tusha riktheu baraspeshën për Dritën në minutën e 80-të. Megjithatë, gëzimi i gjilanasve zgjati shumë pak, pasi vetëm një minutë më vonë Fatjon Jusufi realizoi golin e fitores për Ferizajn.
Për Dritën kjo ishte humbja e dytë radhazi, pas eliminimit nga Kupa e Kosovës në mesjavë, por megjithatë mbetet në krye të tabelës me 66 pikë, nëntë më shumë se ndjekësi më i afërt, Ballkani.
Ndërkohë, Ferizaj me këtë fitore ruan gjasat reale për një vend që dërgon në garat evropiane, duke u ngjitur në pozitën e katërt me 45 pikë.
Në ndeshjen tjetër të ditës, Llapi dhe Prishtina ndanë pikët në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë, pas barazimit 1:1. Ardit Tahiri realizoi për vendasit nga pika e bardhë në minutën e 18-të, duke i dhënë epërsinë Llapit pas pjesës së parë.
Megjithatë, Prishtina barazoi në pjesën e dytë me golin e Leotrim Kryeziut në minutën e 70-të. Portieri Agron Kolaj ishte heroi i skuadrës kryeqytetase, duke bërë disa pritje vendimtare dhe duke siguruar një pikë të çmuar në këtë sfidë.
Pas këtij barazimi, të dy skuadrat kanë nga 40 pikë, me Prishtinën në vendin e gjashtë dhe Llapin në të shtatin.
Këto dy skuadra do të përballen më 14 maj në finalen e Kupës së Kosovës, e cila përveç trofeut, siguron edhe një biletë për garat evropiane në edicionin e ardhshëm.