
Federata e Golfit e Kosovës u bë anëtarja e 154-të e Federatës Ndërkombëtare të Golfit (IGF)
Kosova është pranuar zyrtarisht si anëtarja e 154-të e International Golf Federation (IGF).
“Ky vendim shënon një prej momenteve më të rëndësishme në historinë e sportit të golfit në vendin tonë. Pas shumë vitesh përpjekjesh të pandërprera, vizioni, këmbëngulja dhe besimi ynë kolektiv janë kurorëzuar me suksesin që e vendos Kosovën në hartën botërore të golfit dhe i hap dyert drejt ëndrrës olimpike”, ka njoftuar Federata e Golfit e Kosovës.
Anëtarësimi në IGF nuk është vetëm një status formal – është një dëshmi e rrugëtimit tonë të gjatë.
“Është rezultat i më shumë se një dekade pune të palodhshme, qindra takimeve ndërkombëtare, mijëra orëve në terren, ndërtimit nga themelet të një strukture kombëtare të golfit dhe përkushtimit të çdo individi që besoi se Kosova mund të jetë pjesë e familjes globale të këtij sporti fisnik”.
“Një vend të veçantë në këtë histori e zë shqiptaro-amerikani Dino Asanaj, vizionari që e themeloi golfin në Kosovë dhe i dha jetë këtij sporti në kohë kur pak kush e besonte. Kontributi i tij mbetet themeli mbi të cilin u ndërtua e gjithë struktura e sotme. Gjithashtu, një rol të jashtëzakonshëm ka pasur mërgata shqiptare, e cila në çdo hap të rrugëtimit tonë ka qenë forcë shtytëse. Me përkushtimin, mbështetjen financiare, rrjetëzimin ndërkombëtar dhe përfaqësimin dinjitoz të Kosovës, mërgata ka kontribuar thellësisht në ngritjen e golfit në nivelin ku jemi sot. Falë tyre, Kosova ka qenë e pranishme në tryezat dhe institucionet ku shpesh nuk ka qenë e lehtë të depërtohet. Ky sukses është edhe i tyre – i secilit shqiptar që nga larg ka ndihmuar, ka besuar dhe ka kontribuar. Me mirënjohje të thellë falënderojmë edhe Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve (MKRS) për mbështetjen institucionale dhe për gatishmërinë për ta avancuar golfit në një standard modern dhe kombëtar. Bashkëpunimi me MKRS ka qenë esencial për këtë hap historik”, ka njoftuar Federata e Golfit e Kosovës.
