FBK organizoi Forumin “Safeguarding the Future”: Prezantimi i politikave mbrojtëse

FBK organizoi Forumin “Safeguarding the Future”: Prezantimi i politikave mbrojtëse

Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) ka organizuar Forumin Safeguarding the future – lansimi i politikave të mbrojtjes në basketboll.

Forumi është mbajtur në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës.

Në këtë forum është bërë prezantimi zyrtar i politikave të mbrojtjes të hartuara në kuadër të projektit “Safeguarding the Future” që shënon një hap të rëndësishëm drejt krijimit të një mjedisi më të sigurt dhe gjithëpërfshirës në sport.

Në fjalën hapëse kanë folur Kryetari i FBK-së, Arben Fetahu dhe Presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi, duke folur për rëndësinë e këtij Forumi, por edhe rëndësinë e këtij projekti shumë të rëndësishëm për basketbollin e Kosovës.

Në kuadër të projektit Erasmus+ “Safeguarding the Future”, Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK), në bashkëpunim me ekspertë ndërkombëtarë dhe partnerët nga Estonia, Bullgaria dhe Shoqata e Trajnerëve të Basketbollit të Kosovës (SHTBK), ka zhvilluar dhe miratuar një paketë të plotë prej 13 dokumentesh të politikave të mbrojtjes, në përputhje me ligjet e Kosovës dhe standardet e FIBA-s.

Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) është fituese e projektit SAFEGUARDINGTHEFUTURE në kuadër të Erasmus +, në të cilin projekt FBK është koordinatore, përderisa partnere të saj janë Federata e Basketbollit të Estonisë, Federata e Basketbollit të Bullgarisë dhe Shoqata e Trajnerëve të Basketbollit të Kosovës (SHTBK).