Fazliu deklarohet i pafajshëm
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ish-udhëheqësi i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Bashkim Smakaj, nuk janë deklaruar rreth aktakuzës së ngritur ndaj tyre për ndikimin mbi dëshmitarët. Ndërkaq, veterani i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Fadil Fazliu, është deklaruar i pafajshëm.
Seanca e tretë ishte paraqitja e Fadil Fazliut para Gjykatës në Hagë. Ai tha se para seancës është konsultuar me avokatin e tij dhe u deklarua i pafajshëm për akuzat ndaj tij.
“Kam biseduar edhe me avokatin para një ore. Por, unë jam i pafajshëm, deklarohem i pafajshëm”, tha ai.
Edhe në rastin kundër Fazliut, gjykatësja nuk pranoi argumentet e mbrojtjes për lirimin e tij nga paraburgimi.
Në versionin e redaktuar të aktakuzës prej 15 faqesh, thuhet se Thaçi është takuar me katër të akuzuarit e tjerë në qendrën e paraburgimit në Hagë dhe aty pretendohet se ai u ka dhënë udhëzime se si të dëshmojnë dëshmitarët në rastin kundër tij.
Aktualisht në Hagë është duke u zhvilluar gjykimi ndaj Thaçit dhe ish-krerëve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, të cilët akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Më 5 dhjetor, Kilaj, Smakaj dhe Fazliu u arrestuan dhe një ditë më pas u dërguan në qendrën e paraburgimit në Hagë. Ndërkaq, ndaj Kuçit gjykata ka lëshuar fletëthirrje për t’u paraqitur para Dhomave të Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë. Kuçi do të bëjë paraqitjen e parë para gjykatës më 9 dhjetor. Po atë ditë, paraqitjen e parë do ta bëjë edhe Isni Kilaj. Ai ishte paraparë të paraqitej të dielën, por mbrojtja e tij ka kërkuar që seanca të shtyhet për një ditë.
Thaçi akuzohet se bashkërendoi “tri grupe të veçanta” së bashku me Smakajn, Kilajn, Kuçin dhe Fazliun për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve të Prokurorisë në rastin kundër tij dhe të tjerëve për krime lufte.