“Fadil Vokrri” në pushim deri më 15 tetor, në pritje të rritjes së barit
Eksperti i fushave të UEFA-s, Tugrul Hocaoglu, e ka vizituar stadiumin “Fadil Vokrri”.
Hocaoglu, i cili ka qenë përgjegjës për stadiumet e finales së Champions League, shpjegoi se bari natyral është në proces rritjeje dhe për këtë është e nevojshme kohë.
“Momentalisht, moti që po mbretëron është në favor të këtij procesi dhe puna do të kryhet intensivisht për një muaj”, tha ai.
Vizita e tij është realizuar nën shoqërimin e ministrit të Sportit, Hajrullah Çeku dhe kryetarit të FFK-së Agim Ademi.
Eksperti shtoi se në 25 ditët e ardhshme, duke filluar nga dita e sotme, në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, nuk do të ketë asnjë aktivitet sportiv.
“As ndeshje as seanca stërvitore, sepse fusha do të punohet për të arritur qëllimin e të gjithëve, kompletimin e fushës hibride me rritjen e barit natyral në të”, theksoi ai.
Aktivitetet në fushën e stadiumit “Fadil Vokrri” do të rikthehen për ndeshjen e radhës të Kombëtares së Kosovës më 15 tetor.
Fusha e stadiumit “Fadil Vokrri” ka kohë që është temë diskutimi.
Shpeshherë është kritikuar nga ekipet mysafire rreth cilësisë së barit.
Po ashtu kritika ka pasur edhe pas investimeve të kryera në fushën e blertë