
Eugen Cakolli: LVV e ka barrën kryesore në krizën aktuale
Eugen Cakolli nga KDI ka reaguar për situatën e krijuar rreth konstituimit të Kuvendit.
Ai ka shkruar në rrjetin social “Facebook” se kur llogaridhënia trajtohet si monolog kundër pushtetit, e jo si standard ndaj kujtdo që mban mandat publik, nuk po mbrohet demokracia, por komoditeti politik.
“Si shoqëri civile, nuk jemi këtu për të dekoruar retorikën e askujt. Ne flasim kur shteti ngec dhe kur përfaqësuesit politikë – pozitë apo opozitë – nuk ushtrojnë funksionet e tyre. Mbi të gjitha, është e padrejtë të thuhet se kemi heshtur për katër vite, kur shpesh kemi qenë zëri i vetëm në thirrjet për transparencë, integritet dhe zgjidhje”, ka shkruar ai.
Cakolli ka thënë se partia e Albin Kurtit e ka barrën kryesore për krizën aktuale.
“Po, LVV e ka barrën kryesore në krizën aktuale – këtë e kemi artikuluar hapur, pa ekuivok dhe vazhdimisht! Por, jo, kjo nuk do të thotë se të tjerët kanë luksin e papërgjegjësisë. Ideja se opozita është e paprekshme nga kritika, se kriza është “monopol” i pushtetit, apo se ndarja e përgjegjësisë është padrejtësi, është kundër çdo logjike institucionale. Në një realitet pa shumicë, çdo refuzim sistematik i dialogut dhe i çdo formule zgjidhjeje është pjesë e bllokadës, pavarësisht pozitës që mban”, ka thënë ai.
Cakolli ka theksuar se në askush nuk ndryshon qasje, edhe zgjedhjet e reja do të prodhojnë të njëjtën krizë. “Me ndryshimin e vetëm, që do të shpenzojmë miliona euro për të larë linjat e kuqe apo retorikën ndaj të tjerëve. Kur Kuvendi nuk funksionon dhe shteti është në pauzë, askush që mban mandat publik nuk është pa përgjegjësi. Dhe askush nuk është i përjashtuar nga pyetja më e thjeshtë publike: çka je duke bërë për zgjidhje?”, ka shkruar Cakolli.