
Është koha që KEDS dhe Qeveria të japin llogari
Analisti politik, Dardan Sejdiu, ka reaguar pas paralajmërimeve për një rritje të mundshme të tarifave të energjisë elektrike, duke vënë në pikëpyetje transparencën dhe menaxhimin e KEDS që nga privatizimi i tij në vitin 2013.
Sejdiu thekson se privatizimi i KEDS ka sjellë një histori me dy fytyra.
Sipas tij, konsorciumi blerës, Çalik & Limak, kishte premtuar investime prej 300 milionë eurosh për modernizimin e rrjetit, uljen e humbjeve dhe instalimin e njehsorëve inteligjentë. Megjithatë, sipas tij, realiteti ka rezultuar ndryshe.
Postimi në Facebook:
Privatizimi i KEDS nga 2013 ka sjellë një histori me dy fytyra.
Konsorciumi blerës (Çalik & Limak) premtoi se do të investonte 300 milionë euro për të modernizuar rrjetin elektrik: premtimi për reduktimin e humbjeve, investime tjera dhe vendosjen e njesorëve inteligjentë.
Por realiteti është më i errët. KEDS ka qenë jashtëzakonisht jo-transparent: pasqyrat e saj financiare të audituara dorëzohen vetëm tek ZRRE-ja dhe nuk publikohen lehtësisht për publikun.
Edhe kur fitimet e saj janë të dukshme – në 2015 fitimi ishte rreth 31 milionë euro dhe në 2016 rreth 25 milionë euro – qytetarët nuk shohin numra të qartë për investimet e premtuara. Deri në shtator 2022, KEDS pretendon se ka investuar 203 milionë euro, megjithëse ekspertët dhe raportet e ndryshme te pavarura shpërfaqin dyshime serioze se shifrat reale janë më të ulëta.
Për fund, edhe pse fitimet e kompanisë rriten çdo vit, konsumatorët po përballen me rritje të çmimeve të energjisë, si dhe me tarifat gjithnjë e më të larta. Kjo situatë ngjall pakënaqësi dhe dyshime se KEDS nuk ka sjellë përfitimet e premtuara, por po “shlyen” investimet e paplotësuara përmes tarifave.
Është koha që KEDS, qeveria dhe autoritetet të bëhen transparente dhe të japin llogari të qartë ndaj qytetarëve, sepse energjia është jetike për të gjithë ne!
Raportet financiare te publikohen, nje komision hetimor për të verifikuar investimet e pretenduara dhe ne fund fare një raport për publikun!