Escobari pas deklaratave të Hillit: Kosova ka marrëdhënie të shkëlqyera me NATO-n

Escobari pas deklaratave të Hillit: Kosova ka marrëdhënie të shkëlqyera me NATO-n

Zëvendës-ndihmësi i Sekretarit të Shtetit, Gabriel Escobar, thotë se ShBA-ja e mirëpret angazhimin pozitiv të Serbisë me NATO-n.

Por, sipas Escobar, në një deklaratë të dhënë për gazetën online Reporteri.net, Serbia edhe asnjë shtet tjetër nuk mund t’ua përcaktojë fqinjëve të vetë zgjedhjen e aleancave të sigurisë, duke iu kundërpërgjigjur kështu një kërcënimi të presidentit serb ndaj Kosovës.

Escobar, këto qëndrime i dha duke komentuar edhe një deklarim të fundit të ambasadorit amerikan në Beograd, Christopher Hill, që citohet të ketë thënë se “Serbia sot është më afër NATO-s sesa Kosova”.

“SHBA-ja mirëpret angazhimin pozitiv të Serbisë me NATO-n. Në të njëjtën kohë në theksojmë se Kosova ka marrëdhënie të shkëlqyera me NATO-n nëpërmjet KFOR-it dhe NALT dhe ka marrëdhënie të shkëlqyera të sigurisë me shumë aleatë të NATO-s, përfshirë SHBA-në”, tha Escobar për gazetën online Reporteri.net.

Tutje, emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor i është kundërpërgjigjur direkt edhe një mesazhi kërcënues të Presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, se nëse Perëndimi zgjedh Kosovën, “Serbia do të presë momentin më të mirë të mundshëm dhe ne do ta shfrytëzojmë mundësinë tonë”.

Zyrtari i lartë amerikan, i ngarkuar me detyrë nga Presidenti Joe Biden për rajonin, e bën të qartë se asnjë shtet nuk mund ta pengojë tjetrin në orientimin e saj strategjik dhe zgjedhjen e aleancave të veta të sigurisë.

“SHBA-ja beson se të gjitha shtetet janë të lira për të përcaktuar vetë politikën e jashtme dhe të zgjedhin aleancat e veta të sigurisë. Asnjë shtet nuk duhet të ketë veto ndaj orientimeve strategjike të fqinjëve të vet”, tha Escobar.