Escobar: Zbatimi i vendimit të BQK-së, katastrofik dhe jokompetent
I dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, e ka quajtur “katastrofik” dhe “jokompetent” vendimin e autoriteteve të Kosovës për të zbatuar rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) që e përcakton euron si valutën e vetme për kryerje të pagesave me para të gatshme.
Kështu është pamundësuar përdorimi i dinarit serb në komunat me shumicë serbe në Kosovë.
Escobar i ka përmendur disa arsye pse SHBA-ja nuk pajtohet me mënyrën e zbatimit të rregullores së BQK-së: shpejtësia me të cilën është zbatuar, mungesa e ofrimit të ndonjë alternative për të pranuar paratë, nuk janë kontaktuar komunitetet e prekura prej vendimit, komuniteti ndërkombëtar ka pasur vështirësi që ta bindë Kosovën që të ofrojë ndihmë teknike.
“Qeveria e Kosovës duhet të punojë me komunitetin ndërkombëtar për të gjetur zgjidhje për këtë vendim, që do ta quaja katastrofik dhe madje jokompetent, të zbatimit të vendimit që ka krijuar kaos në ekonominë e Kosovës”.
Ai i ka bërë këto deklarata në Bruksel gjatë një bashkëbisedimi të hapur me gazetarë.
Diplomati amerikan ka rikujtuar se Francës i është dashur gati një vit për të adoptuar euron, përderisa, “në veri të Kosovës kanë dashur ta zbatojnë vendimin brenda 3 javëve”.
Escobar ka përsëritur që Shtetet e Bashkuara nuk e kundërshtojnë legjitimitetin e vendimit, mirëpo kanë probleme me mënyrën e zbatimit dhe për ndikimin që ka te komuniteti serb.
Qysh prej 10 marsit e deri më 18 mars, Escobar do të realizojë një mori takimesh në Belgjikë, Kosovë, Austri dhe Mal të Zi.
Escobar pritet t’i nisë takimet në Prishtinë më 13 mars.
Ai ka thënë se gjatë vizitës në Prishtinë, do të ketë në fokus një “zgjidhje të mundshme për vendimin e pakoordinuar për ta ndaluar dinarin, si dhe për transferet prej Serbisë për qytetarët e Kosovës, të cilët varen prej tyre”.
Serbia deklaron se ndan miliona euro për serbët në Kosovë dhe ua paguan atyre rrogat, pensionet dhe ndihmën shtesë.