
Erdogan bën thirrje për armëpushim në Gazë
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, u tha udhëheqësve në samitin e NATO-s se armëpushimi mes Izraelit dhe Iranit duhet të bëhet i përhershëm, duke bërë thirrje edhe për një armëpushim në Gazë, në mënyrë që të lehtësohet kriza humanitare atje, bëri të ditur zyra e tij.
Turqia, anëtare e NATO-s, është kritike e ashpër e Izraelit dhe luftës së tij kundër Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – në Gazë.
Gaza ka pësuar shkatërrime të mëdha, pas dy vjetësh luftë dhe popullsia e këtij territori është zhvendosur – me raste edhe disa herë – që nga 7 tetori 2023, kur nisi lufta.
Gjatë samitit në Hagë, Erdogan ka zhvilluar bisedime me udhëheqësit e Francës, Gjermanisë dhe Britanisë me të cilët ka biseduar për tensionet rajonale, lidhjet dypalëshe, raportet me Bashkimin Evropian dhe bashkëpunimin në industrinë e mbrojtjes.
Ndërkaq, mbrëmjen e së martës ai u takua edhe me presidentin amerikan, Donald Trump.
“Presidenti Erdogan ka mirëpritur armëpushimin mes Izraelit dhe Iranit dhe është shprehur se situata ka nevojë që të kthehet në një qetësi afatgjatë. Ai po ashtu tha se kriza humanitare në Gazë sa vjen e rëndohet dhe se atje kërkohet po ashtu në mënyrë urgjente një armëpushim afatgjatë”, tha Zyra e Erdoganit, pas takimeve të udhëheqësit turk me presidentin francez, Emmanuel Macron, raporton Rel.