Emancipimi gjinor si çelës i zhvillimi kombëtar

Emancipimi gjinor si çelës i zhvillimi kombëtar

Shkëndije Berisha Pacolli

Më mirë është me marrë në thua me këmbët tona, sesa me gjuhën tonë! Kur kurthohen këmbët edhe mund të rrëzohemi dhe të pësojmë dhimbje fizike – të cilat janë të përkohshme – por, ajo që del nga gjuha jonë ka ndikim të paparashikuar në ndërdijen tonë dhe kurrë më nuk mund të kthehet prapa.

E thëna e përsëritur dhe e shqiptuar në fëmijërinë tonë – nga autoritetet si prindërit, gjyshërit – ngulitet thellë në bindjet dhe në besimet tona dhe ne pastaj vazhdojmë të jetojmë me atë të vërtetë që dikur njerëzit më të dashur – që edhe ata e kanë dëgjuar diku – na kanë ofruar si mëlmesë shtesë në formimin e personalitetit tonë.

Është e mahnitshme dhe njëkohësisht e dhimbshme se si fjalët kanë ndikim të jashtëzakonshëm në jetën tonë të përditshme, pasi ato jo vetëm që i formësojnë mendimet dhe veprimet tona, por edhe fatet që ne krijojmë.

Ndër shekuj, armiqtë e shumtë të popullit shqiptarë dinin ta manipulonin psikologjinë tonë me fuqinë e fjalës – me fjalën që cila ndërton ura, por po ashtu edhe mure mes njerëzve. Ata të cilët më herët se ne e kanë kuptuar fuqinë e mendjes kolektive, e dinin se ky parim mund të ndikojë në aftësitë tona të komunikimit dhe rrjedhimisht në historinë tonë si shoqëri me një luftë mes gjinive. Dhe, nëse i analizojmë fjalët që nuk përkasin me traditën sonë, mund të vërejmë se këtu është bërë një rrugë e dy punë! Ne, dikur si popull pa vetëdijesim, në gurrën tonë popullore gjeneratë pas gjenerate kemi futur edhe thëniet pezhorative për femrën, që përulin dhe fyejnë rolin e saj në shoqëri! Është koha që fjalët e tilla të mos kenë më vend në komunikimin e përditshëm.

Fuqia dhe ndikimi i femrës dihet që nga lashtësia e njerëzimit, prandaj luftohet integrimi i saj. Femra shqiptare, si vlerë më vete, nuk ka nevojë të luftojë për fuqinë e vet, sepse është e vetëdijshme për të – përndryshe nuk do ishte në krye të shtetit. Por, vënia e një ombrelle na ka i mpirë duart, duke i mbajtur ato lartë për të mbrojtur të tjerët. Këtë ombrellë, si mburojë shekullore për baballarët, vëllezërit, burrat, kolegët tanë, duhet ta mbyllim një herë e përgjithmonë. Është koha që t’ia japim hapësirën edhe gjinisë mashkullore, që të vetëdijesohet për përgjegjësinë dhe për rolin që ka në shoqëri. Dhe, është e domosdoshme t’i shkëpusim nga gjiri ynë femëror, përndryshe do t’i rrisim meshkuj dhe jo burra dhe tragjeditë nuk do të kenë të ndalur sepse krijohet varësia.

Nga psikologjia është e ditur se te çdo varësi gjendet një zbrazëti emocionale. Për ta shijuar dashurinë dhe madhështinë e marrëdhënies burrë-grua, varësia dhe zotërimi i tjetrit nuk kanë vend. Të bekuar me gjininë që posedojmë, barazinë mund ta arrijmë vetëm kur fillojmë të shohim tjetrin në të njëjtin nivel njerëzor – bazuar në vlerat dhe virtytet të cilat nuk kanë gjini. Andaj, të fillojmë të komunikojmë me dashuri dhe dinjitet, pa dallim gjinie; të reflektojmë dhe të eksplorojmë fuqinë e thellë të fjalës, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të transformojmë besimet tona të djallëzuara se një njeri vlen kinse më shumë se tjetri.

Jemi të rëndësishëm, secili në vendin e vet, prandaj nuk kemi kuptim pa njëri-tjetrin – për një jetë të begatshme dhe të lavdishme. Është pikërisht emancipimi gjinor ai çelësi i zhbllokimit të potencialit tonë si etni.

(Autorja është psikologe që jeton dhe vepron në Gjermani)

 

 

TAGS