Egnatia shkruan historinë, mposht Partizanin dhe fiton titullin e parë kampion të Shqipërisë

Egnatia shkruan historinë, mposht Partizanin dhe fiton titullin e parë kampion të Shqipërisë

Kategoria Superiore uli siparin e sezonit 2023/2024 mbrëmjen e sotme me finalen e “Final 4”, mes Partizanit dhe Egnatias, që u fitua nga rrogozhinasit me rezultatin 0-1, duke u kurorëzuar për herë të parë në histori si kampione e elitës së futbollit shqiptar.

Skuadra e trajnerit Idlir Tetova arriti t’i rrëmbente kështu “kurorën” të kuqve të Orges Shehit, që ishin edhe kampionët në fuqi të sezonit të shkuar.  Vlen të theksohet fakti se Partizani humbi shansit e artë për të barazuar Dinamon për sa i përket titujve të fituar.

“Bardheblutë” e Tiranës kanë rekordin absolut sa u përket titujve të fituar me 26 trofe. Ndërkohë që në vendin e dytë, ndodhet Dinamo me 18 tituj më pas vjen Partizani me 17. Dominimin e klubeve kryeqytetase ndër dekada janë munduar ta thyejnë Vllaznia, që ka fituar 9 tituj kampion, dhe Skënderbeu me 8 tituj. Nga dy herë janë shpallur kampion Teuta dhe Elbasani dhe nga një herë Kukësi dhe Flamurtari.