Egnatia mposht Vllazninë në ‘Final 4’ & fiton titullin kampion për edicionin futbollistik 2024/2025

Egnatia mposht Vllazninë në ‘Final 4’ & fiton titullin kampion për edicionin futbollistik 2024/2025

Egnatia është shpallur kampione e Shqipërisë për sezonin futbollistik 2024/2025, pasi triumfoi në finalen e madhe të “Final 4” ndaj Vllaznisë me rezultatin 0-4.

Ndeshja u zhvillua në stadiumin “Arena Kombëtare” në një atmosfere spektakolare dhe u drejtua nga arbitri i njohur polak, Szymon Marciniak.

Të dy ekipet zbresën në fushë me formacionet më të mira:

Vllaznia: Jukaj, Gurishta, Repaj, Stojanoviç, Jago, Krymi, Qato, Dodaj, Mala, Gruda, Balaj.

Egnatia: Dajsinani, Xhemajli, Sota, Alijev, Fangaj, Aleksi, Zejnullai, Ujka, Fernando, Lushkja, Bajakoko.

Egnatia kalon në avantazh në minutën e 6-të të takimit, pas një sulmi që vjen nga e djathta, me Bajakoko që shmang Stojanoviç dhe pason te Lushkja, i cili shënon golin e avantazhit. Dy minuta më vonë, Balaj tenton të barazojë rezultatin pas një goditje dënimi, por topi ndalet në traversë.

Pjesa e parë përfundoi me rezultatin 0-1 për Egnatian, ndërsa në fraksionin e dytë, kampionët u treguan edhe më dominues. Në minutën e 49-të, pas një krosimi nga e djathta, Lushkja realizoi golin e dytë personal dhe të ndeshjes me një goditje me kokë. Leo Melo realizoi golin e tretë në minutën e 82-të, ndërsa Ujka vulosi rezultatin në 0-4 në minutën e 95-të.

Egnatia e përfundoi kampionatin në vendin e parë dhe u kualifikua në finalen e “Final 4” pas një barazimi 0-0 me Partizanin. Skuadra rrogozhinase do të përfaqësojë vendin në turin e parë kualifikues të UEFA Champions League.

Pas përfundimit të ndeshjes finale në stadiumin “Arena Kombëtare” u zhvillua edhe ceremonia e dorëzimit të medaljeve dhe titullit kampion ku të pranishëm ishin Presidenti i FSHF-së, Armand Duka dhe Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku. Presidenti Duka, i dorëzoi medaljet dhe titullin kampion ekipit të Egnatias.