Tahiri: Niveli i marrëdhënieve mes Kosovës dhe ShBA-së ka shënuar rënie

Tahiri: Niveli i marrëdhënieve mes Kosovës dhe ShBA-së ka shënuar rënie

Kosova ka cenuar marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, thotë ish-kryenegociatorja Edita Tahiri.

Sipas saj, asnjëherë Kosova nuk ka pasur raporte të tilla me aleatin më të madh të vendit.

Teksa flet për deklarimin e ndihmëssekretarit amerikan të Shtetit, James O’Brien, Tahiri konsideron se paralajmërimi i tij është alarmant e shqetësues.

Ish-ministrja për dialog, fajëson kryeministrin Albin Kurti, të cilin e quan mashtrues e të padijshëm.

“Kërcënimi që e bëri zotëri O’Brien është shumë shqetësues, është alarmant. Dhe ata e thanë të hapur që janë cenuar marrëdhëniet mes ShBA-së dhe Qeverisë së Kosovës, pra Kurtit. Kurrë Kosova nuk ka pasur situata të tilla kaq të rënda, ne u ndëshkuam nga amerikanët me fajin e Kurtit. Por, kjo nuk po i mjafton Kurtit sepse e ka agjendën e vet populiste, është në kërkim të krizave të reja në veri për interesat e pushtetit. Sepse ai ka bërë shumë premtime populiste ndaj votuesve të vet, tash me këto sjellje kërkon që para zgjedhjeve edhe një herë të tensionojë situatën”, deklaron Tahiri.

Edita Tahiri, që dikur drejtonte bisedimet me Serbinë në Bruksel konsideron se Kurti është anti-amerikan dhe nuk dihet se ku e ka të kthyer drejtimin, raporton Kosovapress.

“Mund të them që niveli i marrëdhënieve mes Kosovës dhe ShBA-së ka shënuar rënie. Natyrisht kjo nuk mund të prek themelet e aleancës strategjike mes Kosovës dhe Amerikës, sepse këto aleanca nuk i ka bërë Kurti. Sepse sapo ka dalë si lëvizje e vendeve, sepse ka qenë anti-amerikan. Madje edhe intervistat e para që i ka pasur kur filloi me Vetëvendosjen, po fliste për imperializmin amerikan. Nuk ishte në gjendje të shoh se po të mos ishte Amerika dhe lufta jonë që e bëmë, nuk do të kishim shtetin. Por, meqenëse ai nuk bëri asgjë gjatë çlirimit apo procesit të çlirimit, dëshiron me një nihilizëm të mos njoh arritjet historike të neve udhëheqësve të rezistencës edhe paqësore edhe të armatosur. Madje, nuk dëshiron të njoh as meritat amerikane sepse nuk dihet ka e ka të kthyer Kurti drejtimin e vet”, shprehet ajo.