“Edhe ne e duam dorëheqjen e Kurtit, por mundësia e vetme është shpërbërja e Kuvendit”
Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka deklaruar për Ekonomia Online se kërkesa e kësaj partie për të shkuar në zgjedhje përmes shpërndarjes së Kuvendit është më e mundshme për shkak se nuk i kanë numrat për rrëzimin e Qeverisë Kurti.
Ajo për Ekonomia Online theksoi se s’mund ta imponojnë as dorëheqjen e Albin Kurtit.
Çitaku thotë se në këtë moment, mundësia e vetme që të shkohet në zgjedhje është përmes shpërndarjes së Kuvendit, ndërsa si preferencë thotë se e kanë edhe dorëheqjen e kryeministrit Albin Kurti. Sipas saj, alternativat tjera janë të pamundura.
“Fillimisht dua ta qartësoj që PDK nuk ka asnjë shtizë për opozitën, për kolegët tanë në opozitë. Ne sigurisht që do të preferonim që kryeministri Kurti të jep dorëheqje, mirëpo dorëheqja nuk është një akt i cili ne si opozitë mund ta imponojmë sikurse që nuk i kemi numrat e mjaftueshme që ta shkarkojmë Qeverinë e kryeministrit Kurti. Në politik nuk operohet me dëshira por me të mundshmen dhe në këtë moment e mundshme është të shkohet në zgjedhje të reja përmes shpërbërjes, përkatësisht shpërndarjes së Kuvendit. Ne të gjithë po pajtohemi së paku ne si opozitë edhe PDK edhe LDK edhe AAK që vendi ka nevojë për zgjedhje që Qeveria nuk është duke bërë punën e saj, që qeverisja është e dobët, që raportet e Kosovës me aleatët janë acaruara, që ekonomia në vend ka stagnuar, që migrimi është duke shënuar parametra të dhimbshëm”, thotë Çitaku.
Ndërsa mosgatishmërinë e partive tjera për takim me kreun e PDK-së, Memli Krasniqi, e sheh të gabuar. Thotë se nuk i kanë sulmuar as partitë tjera kur janë takuar me kryeministrin Albin Kurti.