E bija e Sanduloviq: Ka mbetur i palëvizshëm, është helmuar me agjent nervor
Klara Sanduloviq, e bija politikanit serb, në një prononcim për “Slobodna Dalmacija” të Kroacisë, ka treguar se i ati ka shenja të panumërta trupit dhe lëndime si pasojë e goditjeve.
Sipas asaj që ka thënë Klara, Sanduloviq ka mbetur i paralizuar, derisa ajo shton edhe dyshimet për helmimin e tij, ndërsa tregon edhe fragmente nga moment i arrestimit nga BIA – shërbimi sekret.
“Dje gruaja e tij e ka gjetur derën e shtëpisë të shkyçur dhe babai nuk ishte askund. Ajo menjëherë ka shkuar në polici, për ta raportuar zhduken e tij dhe aty asaj i është thënë ‘mos u brengosni, ai është i sigurt dhe do të kthehet’. Kjo ishte shenja se diçka nuk ishte në rregull”, ka thënë Klara për mediumin kroat.
“Mëngjesin e sotëm ajo ka pritur deri në orën 09:00 te spitali, pasi e kishte kuptuar se ishte aty, pa i dhënë askush informacion, por vetëm që ishte nën kujdesin e shërbimit ushtarak dhe se informacione mund të jepte vetëm një ‘doktor i besueshëm’”.
“Ai dyshohet se ka mbetur i palëvizshëm, gjithçka duket se ai është helmuar me agjent nervor”, ka shtuar ajo.
Në momentin e arrestimit të babait të saj, ajo ndodhej në Split të Kroacisë, ku kishte shkuar për t’i kaluar festat e fundvitit. Pas zhvillimeve ajo thotë se është kthyer në Beograd.
Sanduloviq është sulmuar pas publikimit të pamjeve duke bërë homazhe në Prekaz ku dhe ka kërkuar falje për krimet e Serbisë në Kosovë.