Një burrë dyshohet se i ka vrarë dy persona dhe e ka plagosur një tjetër me armë zjarri të premten në një fshat të Gjilanit në lindje të Kosovës, dhe më pas është vetëdorëzuar tek autoritetet, njoftoi Policia e Kosovës.
Policia tha se në mesin e të vrarëve janë një burrë 30-vjeçar dhe një grua 30-vjeçare.
Sipas të dhënave fillestare, dyshohet se viktimat dhe i dyshuari kishin lidhje familjare.
Policia tha se ende nuk dihen motivet e vrasjes së rëndë.
“I dyshuari është vetëdorëzuar, ndërsa gjatë veprimeve policore është sekuestruar edhe një armë zjarri, e cila dyshohet se është përdorur në rast”, tha Policia.
Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, tha se e mori lajmin “me dhimbje të thellë” dhe i shprehu “ngushëllimet e mia më të thella për familjet e viktimave dhe shërim të shpejtë për të plagosurin”.
“Asnjë rrethanë nuk mund ta justifikojë marrjen e jetës së njeriut. Askush nuk ka të drejtë t’i ekspozojë gratë ndaj rrezikut, dhunës apo vuajtjes”, tha Shiroka Pula, sipas një komunikate të Presidencës së Kosovës.
Rasti ka ndodhur rreth orës 14:25 në fshatin Livoç i Ulët, në Komunën e Gjilanit.
Policia tha se pranoi thirrje për të shtëna më armë në këtë fshat dhe kur mbërriti në vendngjarje e gjeti të vrarë brenda një automjeti burrin 30-vjeçar, raporton Rel.

