Dy filma kosovarë do të shfaqen në festivalin ndërkombëtar të filmit në Roterdam
Qendra Kinematografike e Kosovës ka njoftuar se dy nga filmat të cilët i ka mbështetur do të shfaqen si premiera botërore në festivalin ndërkombëtar të filmit në Roterdam,
Sipas QKK-së, që të dy janë pjesë e kategorisë zyrtare të TIGER SHORT COMPETITION, ku garojnë gjithsej 21 filma.
“SI E VERDHË E SËMURË / LIKE A SICK YELLOË (2024) i regjisores Norika Sefa, me producent Mentor Shala, bashkë-producentë Besnik Krapi dhe Norika Sefa, do ta ketë premierën në festivalin ndërkombëtar të filmit në Rotterdam, si pjesë e garës së kategorisë TIGER SHORT COMPETITION. Norika Sefa, fituesja e Çmimit Special të Jurisë për filmin Në Kërkim të Venerës (IFFR 2021), rikthehet në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Rotterdam për edicionin e 53-të me një histori magjepsëse të nxjerrë nga materialet arkivore të video kasetave të tregimeve familjare që nuk janë më. Filmi zhytet në kujtesën e Norës, ku realitetet shkrihen, e keqja dhe e bukura ndërthuren derisa gjithçka përzihet për t’u formuar diçka tjetër”, thuhet në komunikatën e QKK-së.
“Po ashtu, edhe filmi KRAHËT E PUNËTORËVE (19’) nga regjisori Ilir Hasanaj do ta ketë premierën botërore në edicionin e sivjetmë të festivalit ndërkombëtar të filmit në Rotterdam. Me producent Arvan Berishën dhe Ilir Hasanaj, filmi sjell përvojat e punëtorëve Milazimit, Fatmirit dhe Liridonit, viktima të aksidenteve në vendin e tyre të punës. Në këtë homazh poetik dhe eksperimental, regjisori u jep zë përvojave dhe rrëfimeve të harruara të cilat janë pre e makinerisë dhe politikës primitive të Ballkanit. Gjeni më poshtë Komunikatën për Media si dhe materialet përcjellëse për promovimin e filmave”, thuhet tutje në komunikatë.