
Dukagjini nxjerr një pikë të vlefshme në udhëtim në Malishevë
Skuadra e Dukagjinit ka marrë një pikë shumë të rëndësishme në luftën për mbijetesë në elitën e futbollit kosovar. Në ndeshjen e javës së 32-të të Albi Mall Superligës, e zhvilluar të shtunën pasdite në stadiumin “Liman Gegaj” në Malishevë, skuadra nga Klina barazoi 1:1 ndaj Malishevës.
Mysafirët kaluan të parët në epërsi. Ishte minuta e 59-të kur Mërgim Pefqeli realizoi nga pika e bardhë për 1:0. Megjithatë, Malisheva arriti të shmangë disfatën falë një supergoli nga distanca të Drilon Hazrollajt në minutën e 85-të, që barazoi shifrat në 1:1.
Ky ishte barazimi i tretë për Dukagjinin në katër ndeshjet e fundit dhe një rezultat që mban gjallë shpresat për shmangien e zonës së barazhit. Me këtë pikë, Dukagjini renditet në vendin e gjashtë me 41 pikë, vetëm një më shumë se Prishtina, e cila sonte (e shtunë) nga ora 20:00 pret në shtëpi Ballkanin.
Ndërkohë, Malisheva e ndërpreu serinë prej tri humbjeve radhazi, duke arritur në kuotën e 48 pikëve dhe mbetet e treta në tabelë, pozitë kjo që e dërgon në garat evropiane.