Dukagjini mposht Prishtinën, Malisheva triumfon bindshëm ndaj Gjilanit

Dukagjini mposht Prishtinën, Malisheva triumfon bindshëm ndaj Gjilanit

Sot janë zhvilluar dy ndeshje tjera të xhiros së 24-t të AlbiMall Superligës, ku skuadra e Dukagjinit ka shënuar fitore të rëndësishme si mysafire ndaj Prishtinës, ndërsa Malisheva ka dominuar Gjilanin, duke fituar me rezultat bindës.

Në takimin e zhvilluar në Kampin Nacional të FFK-së në Hajvali, Prishtina ka regjistruar edhe ndeshjen e nëntë radhazi pa fitore në kampionat, pasi është mposhtur minimalisht 1:0 nga Dukagjini.

Golin e vetëm të ndeshjes e realizoi Altin Mërlaku në minutën e 19-të, duke i dhënë skuadrës nga Klina fitoren e dytë rresht. Prishtina, e cila nuk ka shënuar fitore që nga 1 dhjetori i vitit të kaluar – kur kishte mposhtur pikërisht Dukagjinin në Klinë – tani numëron 31 pikë, aq sa edhe skuadra klinase.

Aktualisht, Prishtina mban pozitën e gjashtë, ndërsa Dukagjini renditet i shtati me pikë të barabarta.

Në ndeshjen tjetër, Malisheva ka treguar formë të shkëlqyer, duke mposhtur Gjilanin, me rezultat të thellë 4:1 në stadiumin “Liman Gegaj”.

Vendasit kaluan në epërsi në minutën e parë të kohës shtesë të pjesës së parë, kur Arbër Prekazi realizoi pas një dalje të gabuar të portierit Kenan Haxhihamza.

Në pjesën e dytë, në skenë doli Altin Aliu, i cili shkëlqeu me tre gola (57′, 82′, 87′). Golin e vetëm për Gjilanin e shënoi Oltion Bilalli (65′).

Me këtë triumf, Malisheva ka barazuar me pikë kampionin në fuqi, Ballkanin, të dyja me nga 40 pikë, ndërsa Gjilani mbetet në pozitën e katërt me 34 pikë.

Ndeshja përmbyllëse e kësaj jave luhet nesër, ku takohen Suhareka-Feronikeli 74.