Dukagjini, Malisheva dhe Mitrovica triumfojnë në javën e 16-të në Superligën e femrave

Dukagjini, Malisheva dhe Mitrovica triumfojnë në javën e 16-të në Superligën e femrave

Është përmbyllur edhe java e 16-të në Superligën e femrave në futboll. Dukagjini, Mitrovica dhe Malisheva shijuan fitoret e radhës bindëse.

Lideri i renditjes, Dukagjini e ka mposhtur Kosovën Vr, me rezultat të thellë 4:0. Golin e parë vendaset e realizuan në minutën e 32-të, kur Arbesa Kastrati me saktësi konkretizoi një aksion, duke zhbllokuar rezultatin.

Vetëm 6 minuta më vonë, në të 38-tën, Eljesa Brajshori dyfishoi epërsinë, duke bërë që pjesa e parë të mbyllet me rezultat 2:0.

Edhe pjesa e dytë ishte në favor të vendaseve.

Anjeza Berisha finalizoi një tjetër aksion për ta çuar rezultatin në 3:0, ndërsa Aurona Racaj në minutën e 70-të vulosi fitoren me golin e katërt. Kosova Vr mbetet në vendin e fundit në tabelë, pa asnjë pikë.

Malisheva ka triumfuar ndaj Ulpianës, me rezultat 3:0. Epërsia u sigurua që në minutat e para, kur Fortesa Berisha përfitoi nga një rast dhe realizoi në minutën e 5-të. Vetëm 10 minuta më vonë, Rreze Gashi dyfishoi rezultatin.

Fortesa Berisha e riktheu sërish vëmendjen në fundin e pjesës së parë, duke realizuar golin e saj të dytë dhe të tretin për Malishevën. Me këtë fitore, Malisheva e përforcon pozitën e tretë në tabelë me 28 pikë.

Ndërkohë, në Dumosh u shënuan plot 14 gola në fitoren e thellë të Mitrovicës ndaj Llapit. Ndeshja nisi dhe u mbyll me golat e Blerta Shalës, e cila realizoi një hat-trick në minutat 4’, 44’ dhe 85’.

Vetëm në pjesën e parë, Mitrovica shënoi 6 herë. Përveç Shalës, golat e tjerë u realizuan nga Egzona Zeka 12’, Aurora Mulliqi 20’, 37’ dhe Bardha Mehmuti 34’. Në pjesën e dytë, dominimi vazhdoi edhe me 8 gola të tjerë.

Hanna Reynolds realizoi në minutat 53’ dhe 64’, ndërsa Shkurta Maliqi shkëlqeu me një hat-trick në minutat 57’, 59’ dhe 77’. Gola të tjerë për Mitrovicën shënuan Melda Qetini 70’ dhe Albulena Fejza 80’.

Ndeshja u mbyll me rezultat bindës 14:0. Me këtë fitore, Mitrovica vazhdon ta mbajë vendin e dytë në tabelë me 41 pikë, ndërsa Llapi mbetet në vendin e parafundit me 9 sosh.