Dukagjini dhe Gjilani sigurojnë nga një pikë me golat e minutës së fundit

Dukagjini dhe Gjilani sigurojnë nga një pikë me golat e minutës së fundit

Xhiroja e 25-të e AlbiMall Superligës së Kosovës solli sot dy ndeshje dramatike, ku Dukagjini dhe Gjilani arritën të sigurojnë barazime në minutat e fundit të takimeve përkatëse para tifozëve të vet ndaj Dritës, përkatësisht Prishtinës.

Ndeshja ndërmjet Dukagjinit dhe Dritës përfundoi me rezultat 1:1, pasi Hekuran Berisha shënoi në minutën e 92-të, duke i siguruar skuadrës së tij një pikë të rëndësishme në garën për mbijetesë.

Pjesa e parë u karakterizua nga një lojë e fortë, ku Drita arriti të kalojë në epërsi me golin e Denys Kostyshyn në minutën e 39-të, pas një asistimi nga Iljasa Zulfiut.

Në pjesën e dytë, vendasit shtuan presionin dhe në sekondat e fundit arritën të barazojnë me golin e Hekuran Berishës, duke shmangur humbjen në shtëpi.

Një tjetër barazim dramatik u regjistrua në Gjilan, ku skuadra vendase arriti të shmangë humbjen ndaj Prishtinës falë golit të minutës së 92-të.

Prishtina kaloi në epërsi në pjesën e parë pas një autogoli të Senad Jaroviqit në minutën e 23-të.

Megjithatë, Gjilani nuk u dorëzua dhe vazhdoi të kërkonte golin e barazimit, i cili erdhi në sekondat e fundit me një goditje me kokë të Roganoviqit.

Goli fillimisht u rishikua nga VAR dhe më pas u pranua nga gjyqtari Gramos Shala.

Ky rezultat lë Prishtinën ende pa fitore në dhjetë ndeshjet e fundit, por një pikë si mysafire është e rëndësishme.