Dukagjini arkëton tri pikë të rëndësishme në duel ndaj Llapit

Dukagjini arkëton tri pikë të rëndësishme në duel ndaj Llapit

Skuadra e Dukagjinit ka regjistruar fitore të rëndësishme në përballje me Llapin, në ndeshjen përmbyllëse të javës së 27-të të Albi Mall Superligës së Kosovës në futboll.

Ndeshja e zhvilluar të dielën pasdite në stadiumin “18 Qershori” në Klinë u mbyll me rezultat 3:1 në të mirë të skuadrës vendase, e cila me këtë fitore forcon pozitat e saj në garën për mbijetesë.

Golin e epërsisë për Dukagjinin e shënoi Hekuran Berisha në minutën e 36-të, rezultat me të cilin u mbyll pjesa e parë. Në pjesën e dytë, Faton Neziri realizoi golin e dytë për vendasit në minutën e 55-të, duke thelluar epërsinë.

Llapi reagoi shpejt dhe ngushtoi rezultatin në 2:1, me golin nga penalltia të shënuar nga Ardit Tahiri në minutën e 65-të. Mirëpo, vetëm katër minuta më vonë, mysafirët mbetën me një futbollist më pak në fushë, pasi Ahmed Januzi u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë.

Në minutat shtesë të ndeshjes, kur llapjanët me çdo kusht kërkonin golin e barazimit, Faton Neziri realizoi edhe golin e tretë për Dukagjinin, kur shfrytëzoi një dalje të gabuar të portierit, duke vulosur rezultatin përfundimtar 3:1.

Pas kësaj fitoreje, Dukagjini renditet në pozitën e shtatë me 35 pikë, ndërkohë që Llapi mbetet në pozitën e nëntë me 30 pikë.