Sa ka arritur t’i shfrytëzojë deri tani FSHF të ardhurat nga produktet e lidhura me imazhin e Kombëtares (p.sh. uniformat, materialet sportive, produktet e përbashkëta të ofruara me sponsorët, etj.)?

– Në vite të ndryshme ka të ardhura të ndryshme. Bluzat, për shembull, përfshirë edhe veshjet e tjera të Kombëtares, që janë produkti më i natyrshëm dhe i preferuar i tifozëve, arrijnë nivele të larta, edhe mbi 50.000 bluza në 2016-n në vetëm pak muaj, por mund të jenë edhe vetëm disa mijë të tilla, duke lëvizur po aq edhe në vlera për përqindjet e përfituara.

Për këtë Europian, shpresojmë të dyfishojmë shitjet dhe të bëjmë Kuqezi çdo stadium të Gjermanisë.

– Çfarë efekti ka sjellë stadiumi i ri “Air Albania” në marketimin e Kombëtares dhe në përgjithësi, në të ardhurat e FSHF-së?

– Gati-gati e pamatshme. Një stadium për një vend, për një vend të tërë është një aset shumë i rëndësishëm kombëtar. Është një lloj kartëvizite për çdo takim ndërkombëtar, ku ne vetë, pra edhe publiku, përveç lojtarëve, janë edhe ambasadorë.

Kjo pikëpamje është shumë e rëndësishme nga ana e imazhit ndërkombëtar dhe kombëtar. Imazhi, në fund të fundit, është parësor për çdo ekip dhe federatë.

Nga ana monetare, mjafton të mendojmë që ky stadium ka 6.000 vende më shumë se “Qemal Stafa” i mëparshëm, që nuk janë pak, por edhe shumë mundësi të tjera për të krijuar përveç të ardhurave, edhe disa shërbime të rëndësishme për sponsorët dhe partnerët tanë kombëtarë dhe ndërkombëtarë, si dhe për klientelën VIP. Flasim për shërbime që më parë mungonin.

– Sa investon afërsisht FSHF çdo vit, për të zhvilluar futbollin në vend dhe cilat mund të rendisni si projektet tuaja më të rëndësishme? Sa do t’u shërbejnë projekteve të këtij lloji përfitimet nga pjesëmarrja në Europian?

– Fokusi vjetor për Federatën e Futbollit, duke filluar që nga prezantimi i projektit “100 Fushat”, ka qenë shtimi dhe ndërtimi i fushave të reja në të gjithë territorin e Shqipërisë, qofshin këto natyrale apo artificiale.

Qëllimi i kësaj nisme është përmirësimi dhe zhvillimi i infrastrukturës sportive në vend, me fokus përmirësimin dhe zhvillimin e futbollit si sport, duke nisur që nga akademitë dhe klubet.

Mund të përmendim këtu fushën e ndërtuar së fundmi në Ahmetaq, Vorë, Kamëz apo në kompleksin e Dinamos, që përdoren nga ekipet e moshave, por edhe nga ekipet e të rriturve.

Këto investime me patjetër që janë të vlefshme, qoftë edhe për Kampionatin Europian 2025 për moshën U-17, që do të zhvillohet në Shqipëri, sepse përveç 4 stadiumeve që janë kryesore në mikpritjen e këtij kompeticioni, një pikë tjetër e rëndësishme janë dhe terrenet stërvitore, pra fushat që kemi ndërtuar deri më tani, në kuadër të projektit “100 Fushat”.

Mund t’ju them se fatura financiare për këto investime është e konsiderueshme, por ne jemi të vendosur të përmirësojmë infrastrukturën dhe të shtojmë inventarin e fushave me çdo kusht.

– Besoni se pjesëmarrja e Kombëtares në kompeticione të këtyre përmasave mund të sjellë efekte pozitive edhe në vëmendjen ndaj Kampionatit Shqiptar dhe në atraktivitetin e tij në aspekte të ndryshme komerciale?

– Besoj se po. Kualifikimi në Europian sjell një rritje të imazhit dhe të pëlqyeshmërisë së futbollit në përgjithësi.

Një klimë pozitive rreth futbollit dhe Kombëtares sjell rritjen e vëmendjes ndaj asaj që bëjmë. Këtu bën patjetër pjesë edhe futbolli vendas, kampionatet që organizojmë dhe Kupa e Shqipërisë.

Por ajo që besojmë më shumë dhe ku po punojmë me intensitet, është futbolli i moshave të vogla, duke filluar nga shkollat.