“Duhet të rritet pjesëmarrja e grave në politikë”
Në Kuvendin e Kosovës ka nisur punimet konferenca rajonale “Parlamentarizmi dhe Rezoluta 1325: Perspektivat nga Ballkani Perëndimor”.
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, e ka falënderuar në mënyrë të veçantë, presidenten Vjosa Osmani pasi siç tha ai, është shtysë e madhe për gratë.
“Mirë që është Kuvendi i Kosovës që na ka mbledhur sot për ta trajtuar këtë temë siç është për rolin e kuvendeve në zbatimin e rezolutës 1325 të Kombeve të Bashkuara për avancimin e agjendës për gratë, paqen dhe sigurinë. Dua ta përgëzoj grupin e grave deputete që pavarësisht dallimeve partiake, po punojnë fuqishëm për promovimin e fuqizimit të grave në sferën politike e publike. Ky aktivitet është dëshmia më e mirë e këtij bashkëpunimi”, tha ai.
“Agjenda për gratë, paqen dhe sigurinë qëllim kryesor e ka pozicionimin e grave si partnere të barabarta në të gjitha fushat që lidhen me paqen dhe sigurinë. Kosova është shembulli më i mirë i përkushtimit për përmbushjen e agjendave globale pavarësisht faktit që jemi shpesh të kufizuar për t’i dhënë zë këtyre organizmave në të cilat ende s’jemi anëtarë”.
Konjufca poashtu tha se ndonëse ka shumë gra të përfshira në politikë, numri i tyre është larg nga ai burrave, dhe kjo siç tha ai, duhet të ndryshohet.
“Kosova arriti që ta zgjedhë edhe presidenten grua”, tha Konjufca, teksa, duke iu drejtuar presidentes Osmani, tha: “Vërtetë e meritoni një falënderim të veçantë sepse jeni një shtysë e madhe e kësaj kauze dhe është pjesë e përditshme e punës tuaj”.
“Përfshirja e grave në procese të paqes dhe sigurisë është parakusht për paqe dhe demokracinë e qëndrueshme. Kemi një numër të madh të grave të përfshira në politikë dhe sektorin e drejtësisë e sigurisë, ndonëse numri i tij është larg nga ai i burrave dhe kjo duhet të ndryshohet”, u shpreh tutje Konjufca.
Rezoluta 1325 “Gratë, Paqja dhe Siguria”, është miratuar më 31 tetor të vitit 2000 në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Kjo rezolutë sjell në vëmendje të OKB-së, integrimin e perspektivës gjinore në parandalimin dhe zgjidhjen e konflikteve, në ndërtimin dhe ruajtjen e paqes si dhe mbrojtjen e grave dhe vajzave nga dhuna me bazë gjinore. Rezoluta kërkon gjithashtu angazhimin e shteteve për ti dhënë fund pandëshkueshmërisë së përgjegjësve për gjenocidin, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës, përfshirë këtu edhe ato që janë të lidhura me dhunën seksuale dhe llojet e tjera te dhunës ndaj grave dhe vajzave.