Duhet përgjegjësi politike, jo improvizime e zgjidhje provizore

Duhet përgjegjësi politike, jo improvizime e zgjidhje provizore

Nga Ismet Kryeziu – KDI

Letra e djeshme e VV-së nuk ishte as serioze, as politike. Por as letra e sotme e LDK-së, ndonëse më e kujdesshme në gjuhë, nuk përfaqëson një qëndrim politik serioz.

Ideja për një Qeveri Kombëtare Tranzicioni mund të tingëllojë si një ofertë politikisht korrekte, por në thelb është një zgjidhje provizore që shmang përballjen me problemin real, mungesën e guximit për të marrë përgjegjësi. Është një mënyrë për të shtyrë krizën për më vonë, rrotullim në vend, por jo për ta zgjidhur atë në mënyrë strukturore.

Kosova nuk ndodhet në luftë, nuk është e rrezikuar nga ndonjë katastrofë humanitare apo krizë ekstreme që do të arsyetonte një Qeveri Kombëtare Tranzicioni. E vetmja krizë reale është ajo e inatit, kalkulimeve partiake dhe ambicieve personale, që asnjë qeveri tranzicioni nuk i zgjidh. Ajo që na nevojitet është rikthimi te dialogu i sinqertë politik dhe marrja e përgjegjësisë.

Në të kaluarën tonë politike, atëherë kur Republika ka pasur nevojë, pavarësisht nëse partitë kanë qenë në pushtet apo në opozitë, kanë dëshmuar kulturë të konsensusit dhe unitetit kombëtar, pa pasur nevojë të krijohen qeveri tranzitore. Edhe sot, nëse do të kishim politikë të përgjegjshme dhe të përkushtuar ndaj interesit të qytetarit, nuk do të ishte e nevojshme që të gjithë të jenë në pushtet për të ndërtuar politika të harmonizuara e mbipartiake për interes kombëtar.

Në thelb, një Qeveri Kombëtare Tranzicioni në një shtet demokratik është shenjë e dështimit të sistemit politik për të prodhuar zgjidhje përmes rrugëve normale: zgjedhje të jashtëzakonshme, ose marrje të përgjegjësisë për të qeverisur apo për të qëndruar në opozitë. Pas zgjedhjeve të shkurtit, opsionet janë të qarta; Një marrëveshje dhe qeverisje e udhëhequr nga VV-ja, ose një marrëveshje dhe qeverisje ndërmjet LDK, PDK dhe AAK për të ndërruar pushtetin dhe për ta dërguar VV-në në opozitë.

LDK dhe të gjitha partitë tjera do të ishte mirë të kishin guximin e nevojshëm politik dhe të marrin përgjegjësi për të zgjedhur ngërçin politik e institucional. Opsionet janë të qarta. Gjithçka tjetër është improvizim dhe zgjatje e krizës e aspak ndryshim i kursit të politikbërjes aktuale. Më shumë se koalicione, ne kemi nevojë të ndryshojmë vetë mendësinë politike. Të mos e përdorim politikën thjesht si mekanizëm për të dalë nga një situatë në tjetrën, por ta shndërrojmë atë në një kulturë të përgjegjshme, me përmbajtje dhe me vizion për të ardhmen.