Drita më afër se kurrë pranë fazës finale në kualifikimet e UECL-së

Drita më afër se kurrë pranë fazës finale në kualifikimet e UECL-së

Me dy fitore ndaj Breidablikut të Islandës, Drita e Gjilanit ka arritur që të kualifikohet për herë të parë në rrethin e tretë kualifikues në Conference League.

“Intelektualët” tashmë me të gjitha forcat janë përkushtuar tek duelet ndaj letonezëve të FC Auda, pasi triumfi ndaj tyre e ka vlerën e fazës së fundit eliminatore, finales në Play-Off.

Pavarësisht se gjilanasit në letër po konsiderohen favoritë, për trajnerin e tyre, Zekrija Ramadani, ballafaqimi me skuadrën që edicionin e kaluar përfundoi e treta në Letoni, është i vështirë.

“Bëhet fjalë për një kundërshtar të fortë të cilët jo rastësishtë kanë arritur dy herë në rundin e dytë të UEFA Conference League. Një skuadër me shumë futbollistë të huaj në formacion të cilët bëjnë diferencën. Mendoj që kemi mjaft kohë dhe ditët në vijim do të bëjmë analizë më të detajuar dhe do të mundohemi ti gjejmë pikat e dobëta dhe pikat e forta të ekipit kundërshtar” ka thënë Ramadani për faqen e klubit.

Edhe mesfushori i skuadrës, Albert Dabiqaj, pavarësisht besimit se do ta kalojnë Audan, ka shfaqur respekt maksimal për kundërshtarin.

“Është një kundërshtar që e vlerësojmë maksimalisht. E kemi parë që ndeshjet e fundit i kanë vetëm fitore. Besojmë që treneri me stafin do të analizojnë mirë dhe neve na mbetet ta bëjmë punën tonë në fushë. Kam besim shumë që me grupin e lojtarëve që kemi dhe me kualitetin e grupit, me shumë punë do ta kalojmë edhe këtë rund” ka thënë ai për faqen e klubit Drita.

Drita e luan ndeshjen e parë si mysafire në “Skonto Stadions” të Rigas, më 8 gusht, kurse atë të kthimit në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.