
Drita mbyll stinorin vjeshtor me fitore, mposht Prishtinën në derbin e mbetur
Në ndeshjen e fundit të stinorit vjeshtor të Albi Mall Superligës së Kosovës, kampionia në fuqi Drita ka triumfuar ndaj Prishtinës në Gjilan, me rezultat 2:0. Kjo ishte ndeshje i takonte javës së 13-të, por që ishte shtyrë për shkak të angazhimeve të Dritës në Ligën e Konferencës.
Të dy golat e ndeshjes u shënuan në pjesën e parë. Mbrojtësi Jorgo Pëllumbi zhbllokoi rezultatin në minutën e 26-të, ndërsa vetëm tre minuta më vonë, Raddy Ovouka dyfishoi epërsinë, rezultat që mbeti i pandryshuar deri në fund.
Me këtë fitore, skuadra e drejtuar nga Zekirija Ramadani e mbyll stinorin vjeshtor në vendin e katërt me 29 pikë, po aq sa ka edhe Dukagjini në vendin e tretë. Prishtina, nga ana tjetër, vazhdon të ketë formë luhatshme dhe renditet në vendin e dytë me 30 pikë, tre më pak se lideri Ballkani.
