
Drita fiton, Llapi e Liria vetëm nga një pikë para tifozëve të vet
Llapi nuk ka arritur t’i gëzohet fitores së shumëdëshiruar përballë Prishtinës në stadiumin “Zahir Pajaziti” të stërmbushur, në kuadër të javës së 22-të në Albi Mall Superligë.
Kësisoj, skuadra e drejtuar nga Tahir Batatina e ka lëshuar rastin që me fitore ta zbresë nga froni kampionin në fuqi, Ballkanin, i cili vazhdon të kryesojë edhe pas kësaj jave me një pikë më shumë se Llapi. Ndeshja në ‘Zahir Pajaziti’ u karakterizua me lojë të fortë, por me raste të pakta shënimi.
E barazimet e Ballkanit dhe Llapit i ka shfrytëzuar Drita, që para tifozëve të vet ka shënuar fitore në duel me Dukagjinin, me rezultat 2:0, duke u rikthyer fuqishëm në garën për titull. Tani skuadra gjilanase ka vetëm dy pikë më pak se lideri i renditjes. Raddy Ovouka në minutën e 55-të shënoi për 1:0, kurse Samson Ebuka Obioha, e dyfishoi epërsinë në minutën e 71-të. Ndërkohë përballja e dy skuadrave të fundit në renditje, Lirisë dhe Fushës Kosovës, e zhvilluar në stadiumin “Përparim Thaçi” në Prizren është mbyllur pa fitues dhe pa gola.
Mysafirët patën mundësi të artë për të arkëtuar tri pikë, por gjuajtjen e Florent Hajdarit nga pika e bardhë e priti portieri Stivi Frashëri.